
Tiranë, 24 qershor 2014, NOA.al- Kreu i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka uruar të gjithë shqiptarët për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për në Bashkimin Europian dhe është shprehur se ky është një sukses i cili do të mbetet i skalitur në historinë e Aleancës për Shqipërinë Europiane. Sipas Vasilit, ky proces konkludoi një rrugë të gjatë, të shumëpritur, duke na prurë në këtë moment të ri i cili na vendos përpara përgjegjësive të reja dhe punëve të reja, por me një moral të ri dhe me një dinjitet të ri.
“Sigurisht që është një ditë e gëzueshme për të gjithë, një gëzim i cili vetëm i bashkon të gjithë, nuk ndan kërkënd. Dhe që sigurisht shuan edhe kufijtë e politikës dhe është vendi për të gëzuar të gjithë mazhorancë dhe opozitës”, tha Vasili gjatë urimit të tij.
Është natyrshëm një sukses i cili do të mbetet i skalitur në historinë e Aleancës për Shqipërinë Europiane, sepse
Kreu i Grupit Parlamentar të LSI ka falënderuar të gjithë ministrat e jashtëm të vendeve të cilët morën vendimin e shumëpritur për çdo shqiptar.
“Është sigurisht momenti i madh për të falënderuar Komisionin Europian për të gjithë vlerësimet pozitive që ai bëri për Shqipërinë në mënyrë sistematike dhe që i hapën rrugën këtij momenti, e ku spikat në mënyrë të veçantë roli dhe për këtë meriton një falënderim të veçantë komisioneri Stefan Fyle. Njëkohësisht një falënderim shkon edhe për Presidencën greke e cila militoi fort në pozicionin që ajo kishte për fitimin e statusit të vendit kandidat”, u shpreh Perit Vasili.
Ai tha se ky status është një njohje legjitime e të gjitha arritjeve të Shqipërisë ndër vite, ndaj falënderimi dhe merita shkon për të gjitha ata dhe për këdo që militoi e vuri një tullë në këtë rrugë të gjatë dhe tepër të rëndësishme për të arritur deri në këtë fazë të re.
“Përgjegjësia e lartë që na rrjedh nga ky moment është që ato reforma të pandalshme ajo puna e palodhur që e shoqëron një vend i cili hyri në rrugën e Evropës ne duhet të na bashkojë të gjithë në mënyrë që reformat të cilat kërkojnë mazhorancën dhe opozitën së bashku krah për krah, në mënyrë të veçantë ato reforma thelbësore që kanë lidhje me rrugëtimin tonë të ardhshëm, që na pret për anëtarësimin si vend i BE-së, të jenë prioritare dhe të bashkojnë gjithmonë politikën dhe shqiptarët e të mos na ndajnë asnjëherë atë”, tha Vasili./a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





