

Pasi katër herë me radhë e kishin refuzuar dhënien e Statusit kandidat Shqipërisë e cila kishte bërë kërkesë për anëtarsim që në 2009, ministrat e Jashtëm të Bashkimit europian vendosën sot se vendi është i gatshëm për këtë hap. Tanimë në fundjavë, në mbledhjen e krerëve të shteve të Bashkimit Europian, kjo cështje do të jetë vetëm një formalitet që mbetet për t’u zyrtarizuar
Luksemburg, 24 qershor 2014, NOA.al-Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Ka qenë Komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Europian Stefan Fyle, ai i cili konfirmoi vendimin.
Nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Twitter, Fyle shkruan, “Urime Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, i sapo miratuar nga ministrat. Ata sapo ranë dakord, njohën reformat dhe nxisin për ecurinë e mëtejshme të tyre”.
Ministrat e Jashtëm të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian u mblodhën sot në Luksemburg, ku dhe ranë dakord për dhëninen e statusit kandidat për Shqipërinë.
Kjo ishte dhe një nga çështjet kryesore për diskutim në takimin e ditës së dytë të Këshillit, i cili përgatit dokumentat që do të shqyrtojnë liderët në samitin e 26-27 qershorit në Bruksel.
Evangelos Venizellos, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, vendi i të cilit ka Presidencën e rradhës së BE, tha para mbledhjes se statusi kandidat për Shqipërinë ka një rëndësi të madhe edhe për gjithë Ballkanin Perëndimor.
Në të njëjtën linjë kanë qënë edhe disa prej kolegëve të tij, apo zyrtarëve të lartë pjesëmarrës në mbledhjen e sotme.
Në përfundimet e sotme Këshilli edhe një herë tërhoqi vëmendjen se “një dialog i vazhdueshëm e i qëndrueshëm mes qeverisë dhe opozitës në reformat që lidhen më Bashkimin europian do të mbetet një faktor i rëndësishëm që Shqipëria të bëjë përpara në rrugën e saj të integrimit europian.
Pas takimit të ministrave të Jashtëm të shteteve të BE, fjala e fundit i takon udhëheqësve të vendeve anëtare të Unionit.
Edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha ndërsa përshëndeti vendimin e sot, theksoi se vendi ka përpara tani një tjetër stacion të rëndësishëm: “Eshtë fillimi i një rrugëtimi tjetër. Një stacion i rëndësishëm po përmbyllet, më së fundmi, por një stacion tjetër në pret, hapja e bisedimeve, përfundimi me sukses i të cilave, con drejt anëtarësimit të plotë të vendit drejt BE-së. Lajmi i shumëpritur që morëm sot, të na shërbejë për të kuptuar se tani steka është ngritur më lart, se nga gjithsecili nga ne pritet më shumë, vecanërisht nga politikbërësit dhe vendimmarrësit që kanë në dorë fatet e qytetarëve”.
Ata do të takohen të enjten dhe të premten në Samitin e Brukselit, ku do të diskutojnë edhe për Shqipërinë. Pas këtij hapi nisin edhe negociatat për anëtarësim.
Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në Twitter komentoi vendimin për marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Sapo fola me Stefan Fylen e jam krenar që ia dolëm të gjithë bashkë e sigurisht PS-LSI. Falenderime e mirënjohje për gjithë ju”, shkroi Rama, bashkëngjitur një fotografie nga lëvizja e viteve ’90-të për demokraci.
Fjala e plotë Kryeministrit Rama për statusin
Kjo është një ditë e mirë për Shqipërinë!
Arritja e statusit të kandidatit ishte një prioritet i Qeverisë sonë dhe i vendit tonë prej shumë kohësh, dhe unë shpresoj që të gjithë sëbashku mund t’i gëzohemi këtij momenti.
Sigurisht, nuk është fundi i rrugës sonë drejt anëtarësimit të plotë në Familjen Europiane, por është një hap shumë i rëndësishëm përgjatë kësaj rruge. E, mbi të gjitha, është një shenjë shumë e qartë për drejtimin e rrugëtimit tonë, që nga sot ka më shumë shpresë dhe më shumë perspektivë për të gjithë shqiptarët, kudo ku janë, jo vetëm në Shqipëri.
Sigurisht që, vula mbi këtë vendim do të vendoset nga Këshilli Europian, pas pak ditësh dhe atëherë do të jetë edhe koha për të bërë një përmbledhje më të plotë dhe për të adresuar në mënyrë më të plotë të gjithë kënaqësinë, por edhe reflektimet tona.
Por, sidoqoftë, sot, unë dua të falenderoj kolegët e mi, skuadrën time, për të gjithë punën jashtëzakonisht intensive dhe të spikatur që kanë bërë që të arrinim këtu. E dini të gjithë, që jo vetëm nuk ka qenë e lehtë përsa i takon detyrave tona të shtëpisë, por ka qenë ende më e ndërlikuar, sepse vetë Europa, Bashkimi Europian, sot është më i ndërlikuar.
Një falenderim shumë i posaçëm shkon për Ministren e Integrimit dhe Ministrin e Jashtëm, që kanë punuar në sinkron, duke ndarë një barrë tejet të posaçme në gjithë këtë periudhë dhe duke rrugëtuar vazhdimisht, e duke trokitur derë më derë për të avokuar me seriozitet, me dinjitet, me kompetencë të lartë për Shqipërinë, për shqiptarët, të gjitha arsyet që janë dëgjuar dhe janë dëgjuar qartë dhe fort, sikur dhe tregon dita e sotme.
Po ashtu, një falenderim i merituar për ministrat e përfshirë drejtpërdrejtë në ndjekjen dhe realizimin e gjithë detyrave të lidhura me 5 prioritetet e vendosura nga Komisioni Europian;
Ministri i Brendshëm, sigurisht, me një vlerësim të posaçëm, për shkak të peshës së posaçme që zë në këtë kornizë detyrash lufta kundër krimit;
Ministri i Drejtësisë, puna e të cilit, sigurisht, do të shkojë duke u bërë ende më e rëndë, si e të gjithëve, por e tija, posaçërisht;
Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për përpjekjet në hapësirën e frontit që ka të bëjë me antidiskriminim;
Ministren e Administratës Publike dhe, sigurisht, Koordinatorin Kombëtar Kundër Korrupsionit, njëkohësisht Ministër për Çështjet Vendore.
Një falenderim më vete, plotësisht i merituar, dhe me mirënjohje nga ana ime, i shkon Kryetarit të Kuvendit dhe bashkëkryetarit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, Ilir Metës, për gjithçka ka mundur të garantojë. Nga njëra anë, duke mbështetur përmes gjithë fuqisë parlamentare të aleancës sonë, Qeverinë dhe këtë proces. Nga ana tjetër, duke vënë në dispozicion energji dhe orë të tëra pune për të bërë edhe ai pjesën e rrugëtimit dhe të trokitjeve, në funksion të avokimit të domosdoshmërisë që Shqipëria ta merrte këtë status.
Do të kisha dashur shumë të shtoja këtu, me zë të plotë edhe mbështetjen e gjithë opozitës politike, por më duhet të them se falenderimi i shkon përfaqësisë së opozitës në tryezën e “Dialogut të Nivelit të Lartë”, Komisionit të Integrimit dhe sigurisht, Kryetares së Komisionit të Integrimit, e cila ka dhënë një kontribut të posaçëm, për të bërë të mundur që Komisioni i Integrimit të jetë një hapësirë pune për integrimin dhe koordinimi mes palëve, në funksion të integrimit. Shpresoj shumë që në periudhën në vijim, e gjithë opozita të angazhohet me të gjitha forcat, në funksionit të procesit që vazhdon. Sikundër, me marrjen përfundimtare të vulës mbi këtë vendim nga Këshilli Europian, në momentin kur do të na duhet të adresojmë, siç e thashë, qoftë gëzimin, qoftë reflektimet, ju siguroj se nuk do të mungojë edhe vlerësimi për atë që opozita ka bërë përpara sesa të bëhej opozitë, si një e tërë, përsa i takon këtij procesi. Sot, flasim për gjithë këta muaj të vështirë në këtë betejë aspak të lehtë që, besoj, e fituam me plotë meritë si “Aleancë për Shqipërinë Europiane”.
Nga ana tjetër, ne e dinim qysh në fillim se duhej një ndryshim i fortë për të përçuar një mesazh të fortë, në mënyrë që, që në dhjetor Shqipëria ta merrte statusin. Por, përsëris, nuk ia dolëm, jo sepse mesazhi nuk u dëgjua fort, por sepse në dhjetor triumfoi, në disa prej vendeve, frika e parazgjedhjeve europiane. Sikundër, luajti një rol jo të parëndësishëm edhe zhgënjimi i viteve të fundit nga performanca e dobët e Shqipërisë. Megjithatë, sot jemi më të vetëdijshëm, se dje, për faktin që duhet ende më shumë punë, ende më shumë ndryshim, në mënyrë që të shkojmë shpejt, – kuptohet, relativisht në harkun e kohës që kërkon anëtarësimi, – drejt anëtarësimit.
Ne e dinim dhe e dimë që duhet më shumë ndryshim, por kjo që kemi arritur, besoj, flet qartë se mund të arrijmë çdo gjë nëse kemi një plan dhe nëse kemi skuadrën e duhur për ta vënë në jetë atë plan. E, sot, dua ta rinënvizoj se ashtu sikundër patëm një plan të qartë dhe të detajuar sesi do të kapërcenim hendekun e hapur mes nesh dhe këtij momenti, për shkak të disa problemeve të brendshme në disa vende të Europës, dhe ashtu sikundër treguam se skuadra jonë është absolutisht në lartësinë e sfidave, ashtu ju siguroj që plani ynë do të funksionojë në të gjitha drejtimet dhe se skuadra jonë do të japë të tjera rezultate dhe të tjera arsye që ky popull të gëzohet.
Në dhjetor, ministrat e pastaj Këshilli donin të ishin të sigurt që ne ishim vërtetë shumë seriozë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. E, sot, jam shumë krenar që jo vetëm iu përgjigjëm “flakë për flakë” sfidës që na bënë, por e pritëm mbledhjen e rëndësishme të ditës së sotme me një sukses, që deri dje pakkush mund ta imagjinonte dhe thuajse askush nuk besonte se mund të ndodhte, me një Shqipëri pa një ‘republikë më vete të drogës’, siç ishte ajo që e rëndoi për vite të tëra imazhin e vendit tonë në Lazarat.
Nga ana tjetër, në dhjetor u kërkua që, po ashtu, të merrej kohë për të parë se ne kemi një qasje më të pjekur ndaj parlamentit dhe sistemit politik në tërësi. Po bëjmë gjithçka, nën lidershipin e Kryetarit të Kuvendit, që parlamenti të jetë një hapësirë garancish, në radhë të parë, për opozitën. Do të vazhdojmë ta bëjmë, duke pritur me durim që opozita ta shfrytëzojë këtë hapësirë në mënyrë racionale dhe konstruktive.
Kemi udhëtuar në Europë, këtë periudhë, më shumë se zakonisht. Dua që të shpreh një falenderim për të gjitha ata që na kanë pritur. E, personalisht, dua të falenderoj të gjithë liderët europianë, por edhe Ministrat e Jashtëm të disa vendeve të mëdha, që na dhanë të gjithë kohën e nevojshme dhe vëmendjen e domosdoshme për të dëgjuar argumentet tona. E, nga ana tjetër, dua t’i falenderoj që provuan se që Shqipëria të marrë atë që meriton, duhet të sillet me dinjitetin europian të të barabartit me të barabartin, me këdo. Ne e bëmë këtë dhe unë jam shumë krenar për këtë. Sepse jo vetëm morëm statusin, por edhe e morëm statusin në një mënyrë shumë dinjitoze dhe përmes një komunikimi në të gjitha nivelet, që nga unë, tek Ministrja e Integrimit, tek Ministri i Jashtëm, absolutisht dinjitoz, që është një risi absolute për marrëdhëniet tona me jashtë.
Dua të falenderoj në mënyrë të posaçme Kancelaren Merkel, për kohën, vëmendjen dhe rolin që luajti në gjithë këtë proces. Do t’i jem dhe do t’i jemi gjithmonë mirënjohës; ashtu sikundër, Presidentit Hollande; ashtu sikundër edhe Kryeministrit Cameron, edhe të tjerëve, por, padyshim, nga ana tjetër, dua të bëj një falenderim personal, miqësor dhe nuk e teproj po të them vëllazëror, për Kryeministrin Renzi, me të cilin jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe i cili ka qenë vazhdimisht një zëdhënës këmbëngulës për statusin e Shqipërisë, si një gjë absolutisht e merituar. Padyshim, Presidencën greke. Padyshim, në fund, por jo për nga rëndësia, Presidentin Fischer, Kancelarin austriak, Ministrin e Jashtëm austriak dhe Austrinë, si një vend që nuk është lëkundur për asnjë çast dhe madje, luajti një rol kyç në lobimin për të mbledhur rreth vetes një numër më të madh se asnjëherë tjetër vendesh, që të kërkonin me shkrim statusin për Shqipërinë.
Përsëris që ky është momenti i parë, është reagimi i parë, më pas, kur të bëjmë, jo mitingun, as koncertin, por takimin e merituar edhe me ju, edhe me pjesëmarrësit nga të gjitha krahët, edhe me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, nuk do të harrojmë askënd.
Në fund fare, dua të nënvizoj një fakt, që jam krenar, sepse nuk ka qenë aspak një punë e lehtë, siç e thashë edhe në fillim, edhe për shkak se Europa, sot, nuk është aspak një derë e lehtë për t’u hapur, aq më tepër që pas zgjedhjeve europiane gjerat mund të shkonin edhe në një drejtim krejt tjetër. E, arsyeja pse u jam mirënjohës gjithë liderëve europianë, – nga ata më të mëdhenjtë, mbi të cilët rëndon një peshë shumë më e madhe vendimmarrëse, deri tek gjithë të tjerët, – është se i qëndruan projektit të Europës, që nuk mund të kuptohet pa Shqipërinë, nuk mund të kuptohet pa Ballkanin.
Dua t’ia kaloj tani fjalën Ministres së Integrimit, e cila meriton një mirënjohje ende më të veçantë se të gjithë ministrat e tjerë, sepse, siç e dini, nuk ka vetëm një barrë, atë të përbashkëtën, për të çuar përpara procesin e integrimit, por ka edhe barrën e mrekullueshme të një vajze që është në rrugën për t’u bërë nënë. Sigurisht, është një kënaqësi më vete për të, që fëmija të vijë në jetë në një vend me status.
Duke ia kaluar fjalën Klajdës, ju falenderoj edhe juve me gjithë zemër. Sepse e kam thënë më parë dhe nuk do ta harroj sot, që kjo nuk është një arritje ekskluzive dhe s’mund të jetë një arritje ekskluzive e qeverisë, dhe qeveria jonë nuk do të ishte kaq e mirë sa ç’është, pa ju.
Mesazhi i Presidentit Nishani për statusin
Presidenti i Bujar Nishani ka publikuar në faqen zyrtare të Facebook një mesazh me rastin e marrjes së vendimit për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë.
“Ditë gëzimi për Shqipërinë tonë! Mirënjohje të gjithë shqiptarëve, që besuan dhe punuan me vendosmëri për ëndrrën evropiane. Mirënjohje për vendet mike, që pa mëdyshje, unanimisht mbështetën përpjekjen disavjeçare për marrjen e merituar të statusit si vend kandidat i BE-së. Besimplotë se vendimi i sotëm do të jetë në rezonancë të plotë me vullnetin e Këshillit Evropian.”
Basha: Statusi kandidat, fitore për europianistët shqiptarë, sfidë hapja e negociatave
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha përshëndeti vendimin e dhënë nga Këshilli i Ministrave në BE për statusin.
Gjatë një aktiviteti ku ishte i pranishëm ai tha se është fundi i një rrugëtimi që nisi 5 vite më parë, me aplikimin nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, për anëtarësimin e plotë të vendit në BE.
“Është fillimi i një rrugëtimi tjetër. Një stacion i rëndësishëm po përmbyllet më së fundmi por një stacion tjetër na pret, hapja e bisedimeve, përfundimi me sukses i të cilave çon drejt anëtarësimit të plotë të vendit në BE. Dita e sotme është një ditë fitoreje për europianistët, që përbëjnë shumicën dërrmuese të qytetarëve të Tiranës dhe qytetarëve të gjithë Shqipërisë”, u shpreh Basha.
Ai uroi që lajmi i mirë që morëm sot, të na shërbejë për të kuptuar se tashmë “steka” është ngritur më lart, se nga gjithsecili prej nesh pritet më shumë e veçanërisht nga politikëbërësit e vendimmarrësit që kanë në dorë fatet e qytetarëve, përmes asaj çka bëjnë, asaj çfarë nuk bëjnë, asaj çfarë bëjnë mirë apo asaj çfarë bëjnë keq.
“Ta gëzojmë statusin, jo për shumë gjatë shpresoj se tani sfida është të hapen negociatat për anëtarësim në BE!”, u shpreh kreu i PD.
Berisha, mesazh per Statusin
"Të dashur miq, sot Këshilli i Ministrave të vendeve anëtare të BE vendosi që Shqipërisë, ndonëse me vonesë për shkaqe kryekëput shqiptare, t’i jepet statusi i vendit kandidat për vend anëtar të Bashkimit Europian. Kjo është njëarritje madhore në rrugën e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Para së gjithash është vlerësim i suksesit të reformave tona që kanë sjellë Shqipërinë në stadin e meritimit të plotë të statusit të vendit kandidat.
Me këtë rast une dua t’u shpreh një mirënjohje të thellë atyre mijëra punonjësve të administratës shtetërore që, me punën, përkushtimin e tyre në hartimin, miratimin dhe zbatimin e mijëra ligjeve, vendimeve, rregullave, kritereve, standarteve, reformave, me përgjigjet e sakta të 2284 pyetjeve dhe 2000 nënpyetjeve të pyetësorit të Komisionit Europian dhe përgjigjen e merituar, bënë të mundur që Shqipëria të zbatojë me seriozitet Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, kërkesat për heqjen e vizave dhe të meritojë plotësisht që në tetor të vitit 2012 rekomandimin e përsëritur dhe në tetor te vitit 2013 të KE për statusin si dhe vendimin e sotëm të Ministrave të Jashtëm të BE. Një mirënjohe të thellë të gjithë qytetarëve për mbështetjen e tyre për reformat që sollën statusin si dhe Ministrave të Jashtëm të BE, qeverive të vendeve anëtare për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e integrimit dhe për vendimin e tyre të drejtë të akordimit të statusit të vendit kandidat.
Por sot, duhet të rikujtojmë se ne morëm me vonesë statusin e vendit kandidat pasi Edi Rama, si asnjë politikan tjetër në Europë, në një akt të mirëfilltë antikombëtar, e bllokoi atë në dhjetor të vitit 2012 dhe në mars të vitit 2013, duke refuzuar votimin e tre ligjeve për të cilat ishte rënë dakord. Ftoj të gjithë shqiptarët të festojnë këtë vendim shumë të rëndësishëm në rrugën tonë drejt Europës", perfundon mesazhi i z.Berisha.
Deklarata e MPJ për statusin
Ministria e Punëve të Jashtme përshëndet vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, si një hap në realizimin e aspiratës evropiane të vendit tonë. Vendimi i Bashkimit Evropian është një njohje e arritjeve të reformave ambicioze e gjithëpërfshirëse të ndërmarra nga Shqipëria.
Ky vendim është, gjithashtu, një inkurajim për përpjekje të mëtejshme në procesin e reformave. Shqipëria e sheh statusin e vendit kandidat si çeljen e një rruge që do të kërkojë reforma edhe më të thella, për t’u përgatitur për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Qeveria ka angazhimin më të lartë për kryerjen e këtyre reformave, veçanërisht të atyre që lidhen me sundimin e ligjit, me bindjen se vetëm një transformim i thellë modernizues do të realizojë aspiratën tonë për ta parë Shqipërinë anëtare të denjë tëfamiljes evropiane.
Thaçi: Urime për fitoren historike
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka uruar kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama për vendimin pozitiv për statusin.
Në postimin e tij në Twitter, Thaçi shkruan “Urime Shqipëria, urime Edi Rama për fitoren historike dhe kandidaturën zyrtare për BE. Kosova përfiton nga afrimi i BE-së”.
Topalli: Statusin e mori Berisha
Ish kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka komentuar marrjen e statusit ku ka uruar gjithë shqiptarët, ndërsa ka thënë se statusin e mori Berisha dhe Edi Rama duhej të hapte negociatat.
“Vendi ynë e meritonte! Ky status është merite totale e shqiptarëve dhe e Qeverisë së Sali Berishës! Propozimi për statusin është bërë 3 herë rresht, për 2 vite rresht nga Komisioni dhe nga PE, por ai nuk u krye formalisht për vite, sepse Rama e minoi atë me vendosmëri e pashpirtësi. Fillimisht përmes bojkotit 6 mujor të Kuvendit dhe në fund për shkak të mosvotimit të 3 ligjeve të famshme që kërkonin votën e PS! Duheshin vetëm 3 sekonda për të votuar 3 ligjet , por ai nuk i la kurrë deputetet e tij të bënin detyrën me pretekstin komik, se LSI i kishte marre kryetarin e qarkut të Fierit dhe pastaj se njeri kishte rrahur një tjetër në ujësjellësin e Tepelenës! Shqipëria jo vetëm kishte plotësuar kriteret e Kopenhagenit, por ajo ishte dhe i vetmi vend i NATO-s nga shumica e vendeve të Ballkanit! Dëmi që Rama i ka shkaktuar vendit është shumë i rëndë dhe jo vetëm në terma financiar, dhe vetëm për arsyen se statusi nuk duhej të merrej me qeverinë demokrate! Sot Rama nuk ndjen turp, sepse që të kesh turp duhet të kesh ndërgjegje”, shkroi Topalli në një postim në Facebook,
Ajo shton më tej së një mirënjohje e thellë shkon për administratën dhe punë ne bërë ndër vite, dhe që sipas sai u përzu nga puna.
Topalli nënvizon se sikur Rama të mos kishte minuar për vite statusin Shqipëria jo vetëm do kishte hapur negociatat, por do kishte bërë shumë hapa të tjera përpara në rrugën drejt BE.
Duke mbyllur qëndrimin e saj deputetja demokrate thotë se, “Për Shqipërinë, Rama është një kosto e madhe”.
Në Luksemburg u mblodh sot Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian, ku u mor vendimi për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.
Kryeministri Edi Rama në një postim të tij në Twitter shkroi më herët, “Dhjetor ‘90 në fillimrrugën për Shqipërinë si gjithë Europa në qytetin Studenti. Sot në pritje të statusit kandidat…”.
Pak para nisjes së mbledhjes së ditës së sotme, Ministri i Jashtëm danez Lidegaard, vlerësoi hapat e bëra nga Shqipëria duke shprehur vendimin e vendit të tij pro statusit për Shqipërinë.
Së fundmi Shqipëria dhe Qeveria shqiptare morën edhe mbështetjen e Gjermanisë, Holandës dhe Francës, falë lobimeve por edhe vizitave të krerëve të politikës në mbështetje të statusit.
Në muajin dhjetor Franca, Holanda, Gjermania, Danimarka dhe Britania ishin vendet që kërkuan shtyrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





