
Hagë, 23 qershor 2014, NOA.al- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, takoi sot Drejtorin e EUROPOL, Rob Wainwright, në selinë qendrore të Policisë Europiane në Hagë.
Në qendër të këtij takimi ishte fuqizimi i mëtejshëm i bashkëpunimit pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së bashkëpunimit strategjik dhe operacional, si dhe nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Shqipërisë dhe Europolit, që është hapi finalizues i marrëveshjes së bashkëpunimit operacional midis Policisë Europiane dhe Shqipërisë.
Po ashtu në këtë takim u diskutua mundësia e aksesit të Policisë së Shtetit në dosjet analitike të Europolit, si dhe në vendosjen e Pikave të Kontaktit në fusha të tilla si prodhimi e trafiku i narkotikëve, lufta kundër trafiqeve, lufta kundër krimit kibernetik, prodhimi e trafikimi i armëve, etj.
Wainwright, vlerësoi progresin që ka bërë Policia e Shtetit gjatë këtij viti në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, si dhe përgëzoi Policinë Shqiptare për ndërmarrjen e operacioneve të suksesshme si operacioni më i fundit që po zhvillohet në Lazarat.
Didi, i shprehu mirënjohjen për vlerësimin e treguar nga EUROPOL, duke e pranuar Policinë Shqiptare pranë organizimit të Policisë Europiane./a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





