Transmetuar më 23-06-2014, 18:10

E ndërsa Gana vazhdon të mbajë të gjalla shpresat për një kualifikim të mundshëm në 1/8 e Brazil 2014, në drejtim të përfaqësueses afrikane janë hedhur akuza të rënda për trukim ndeshjesh.

Sipas mediave angleze, presidenti i Federatës Ganeze të Futbollit, Kwesi Nyantakyi ka pranuar në shkëmbim të një shume të madhe parash, më saktësisht 170 mijë Dollarë, trukimin e sfidave miqësore.

Disa gazetarë të maskuar si të dërguarit e një shoqërie investimesh, kanë mundur të nxjerrin bllof protagonistët e kësaj ngjarjeje.

Sikurse njofton tabloidi anglez, gazetarët e maskuar kanë zbarkuar në Miami për të takuar Nyantakyi, duke i propozuar 170 mijë Dollarë në këmbim të trukimit të ndeshjeve të kombëtares ganeze.

Gjithçka është bërë e mundur falë ndërmjetësimit të agjentit të FIFA-s, Christopher Forsythe dhe të drejtuesit të Federatës Ganeze, Obed Nketiah.

E gjithë ngjarja është filmuar dhe transmetuar në një television anglez, por Federata Ganeze e Futbollit ka mohuar çdo hipotezë të trukimit të ndeshjeve të kombëtares, madje ka denoncuar Forsythe e Nketiah për shpifje.

Gjithsesi, trukimet e supozuara të Ganës nuk kanë të bëjnë me sfidat e Kupës së Botës, ku përfaqësuesja afrikane ka zhvilluar performanca mbresëlënëse.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit