
Vlorë, 22 qershor 2014, NOA.al- Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave ka reaguar dje në mënyrë të menjëhershme nëpërmjet një aksioni të shpejtë dhe të mirëorganizuar për të evituar ndotjen e shkaktuar nga hedhja e një sasie të konsiderueshme peshku në Vlorë.
Një sasi prej gati 5 kv peshk merluc i paketuar është hedhur në afërsi të rrugës që të çon në fshatin Zvernec. Inspektorët e Drejtorisë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Vlorë në bashkëpunim me Drejtorinë e Bordit të Kullimit, kanë marrë masa për eleminimin e ndotjes së shkaktuar, duke bërë mbulimin dhe groposjen e kësaj sasie peshku.
Gjithashtu një grup inspektimi me në krye Drejtorin e AKU-Vlorë, nisën inspektimin mbi stabilimentet dhe magazinat e tregtimit të peshkut për të bërë evidentimin se cili subjekt kishte shkaktuar këtë ndotje./a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





