Transmetuar më 21-06-2014, 10:12

Tre policë kanë rrahur dhe masakruar mizorisht një shofer furgoni. Ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Durrësit. Të tre policët janë denoncuar për ushtrim dhune me pasojë plagosje të rëndë ndaj shoferit të furgonit pa pasur asnjë motiv.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, ndërsa 60-vjeçari Bashkim Dragovoja, me profesion shofer furgoni, ka denoncuar në Prokurorinë e Durrësit tre punonjësit e policisë që ushtruan dhunë fizike ndaj tij.

“Dy policë patrulle më rrahën dhe më fyen me fjalë të rënda pa asnjë shkak. Civili, që ishte shefi i tyre, më goditi fort me grushte e më pas dhe me shkelm në gjoks. Jam përmendur në komisariat. Nuk mbaj mend më tej. Shikoni si më kanë dhunuar, si më kanë bërë, ishalla shpëtoj”ka deklaruar 60-vjeçari Dragovoja në Prokurori.

Ndërkohë, në lidhje me denoncimin ka reaguar edhe Policia e Durrësit. Ajo ka njoftuar se drejtuesi i furgonit, ka qëlluar një nga policët, ndaj efektivët ndërhynë forcërisht për ta neutralizuar. Por 60-vjeçari ka kundërshtuar thëniet e policisë, duke u shprehur se nuk kishte asnjë shkak pse të qëllonte policin e patrullës. Sipas tij, deklarata e Policisë së Durrësit bëhet për të mbrojtur dy policët, që e rrahën dhe e fyen pa asnjë shkak. 60-vjeçari Dragovoja është ndaluar nga policia, e cila deklaroi se ndalimi i tij është bërë për sqarime. Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për këtë çështje.

Ngjarja

Shoferi ishte në furgon dhe po priste hipjen e disa njerëzve (shumica gra) që ishin pjesë e një kortezhi për në varrezat e qytetit. Policët që akuzohen për këtë dhunë barbare, janë Ilir Vrioni dhe Arjan Çali. I treti, që sipas shoferit të dhunuar ishte shefi i dy rrugorëve e që ka ushtruar dhunë mbi Dragovojin, nuk identifikohet, pasi policët rrugorë nuk tregojnë. Në një moment qetësimi të çastit në mjediset spitalore, Bashkim Dragovoja, rrëfen shkakun e konfliktit dhe dhunën e ushtruar ndaj tij nga policia. Ja rrëfimi i shoferit. “Isha në furgon në vendin tim, e prisja njerëzit që do të çoja në varreza, në një vdekje që kishin. Kisha ndaluar aty tek shkallët për pak minuta e prisja të niseshim.

Disa gra kishin hipur e të tjerat ishin në ardhje. Vijnë dy policë rrugorë e me ton më thonë që të lëviz para se kisha bllokuar rrugën. Në fakt, problem ishte pasi isha paralel, por u thashë që sapo të hipin gratë, për 4-5 minuta, do të lëvizja. Ata nuk pritën më. Njëri prej tyre, më hap derën, më kap, më tërheq zvarrë, e dhunshëm më marrin për të më hipur në makinën e tyre e të më çonin në polici. Në këtë kohë vjen një civil dhe i pyet dy policët. Ata i thonë se “zoti shef, ky ka bllokuar rrugën, na ka kundërshtuar e fyer e ndaj po e shoqërojmë”.

Civili, që ishte shefi i tyre, më goditi fort me grushte e më pas dhe me shkelm në gjoks. Jam përmendur në komisariat. Nuk mbaj mend më tej. Shikoni si më kanë dhunuar, si më kanë bërë, ishalla shpëtoj…”. Po çfarë ka ndodhur më tej?. “Në polici, kur u përmenda, pashë oficerët e Policisë Gjyqësore dhe prokurorin e gatshëm. Policët që më masakruan, Ilir Vrioni dhe Arjan Çali, thanë që unë isha i pirë. Ata shokun e tyre, shefin, nuk e tregonin. Më bënë testin për përdorim alkooli. Doli që nuk kisha pirë asgjë… Shkoja në punë, për më tepër në një kortezh funeral. Nëse unë kam bërë shkelje, pse të më dhunojnë, të më bëjnë kështu! Le të zbatojnë ligjin”, rrëfen shoferi i furgonit.

Denonocimi

Shoferi, që ndodhet në gjendje kritike në spital, ka bërë denoncimin në Prokurori për policët dhunues. Dhunuesit këmbëngulin se shoferi i ka kundërshtuar me dhunë. Zyrtarisht, mësohet se hetimet po vazhdojnë. Përtej procedurave, është e dhimbshme që në mes të ditës, në qendër të qytetit, policia të ushtrojë dhunë! Dhe nëse shoferi ka shkelur rregulloren, asnjë të drejtë nuk ka policia të ushtrojë dhunë, por të marrë masa kundrejt ligjit si për normalizimin e qarkullimit, ashtu dhe për nxjerrjen e përgjegjësisë ligjore të shoferit.

Nuk është rasti i parë që policia ushtron dhunë ndaj qytetarëve të pafajshëm. Para pak kohësh, oficeri i policisë, Xhevdet Dedja, ka dhunuar me shkop bejsbolli një shofer. Shoferi i dhunuar barbarisht me shkop bejsbolli nga polici i dehur u shpreh se, kishte mbetur i shokuar nga dhuna çnjerëzore, kryer nga një punonjës policie. “Polici, pasi më bëri shenjë të ndaloj, pa më thënë asnjë fjalë u drejtua tek makina e tij. Hapi bagazhin polici dhe nxori një shkop bejsbolli e fillon dhe më qëllon. Më goditi në dorë, në këmbë dhe këtu në kokë me shkop bejsbolli. E mora vesh më vonë, që është i plotfuqishmi i zonës këtu”, u shpreh shoferi i dhunuar.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit