Transmetuar më 21-06-2014, 08:20

Një tragjedi e vërtetë njerëzore u konsumua dje në fshatin e Lazaratit, kur një grua 8-muajshe shtatzënë dështoi, duke tronditur familjen në këto momente tensioni për fshatin.

Pak pas mesditës, ulërima fëmijësh dhe të rriturish u dëgjuan nga brenda një prej shtëpive të Lazaratit, pasi gruaja pati hemorragji të menjëhershme dhe kishte nevojë për ndihmë mjekësore.

Në panik njerëzor u ndjenë edhe forcat e policisë, të cilat mbërritën menjëherë në ambientet e shtëpisë, për shkak të mungesës së një mjeku në moment.

Mjeku mungonte jo për rastësi: fshati me 7.600 banorë nuk ka një qendër shëndetësore.

Familjarët e gruas e nxitën policinë të kërkojnë një ambulancë, por dukej e pamundur që ajo të mbërrinte shpejt në fshat.

Kështu që, ata kërkuan që gruaja të transportohej në spital me mjetet e policisë, por edhe kjo ishte e rrezikshme, sepse hemorragjia mund të jetë vdekjeprurëse dhe udhëtimi mund ta përshpejtojë atë.

Megjithatë, të afërmit e gruas e hipën në një “Jeep” të kuq, që shihet në fotografinë që shoqëron shkrimin, dhe e dërguan atë në Gjirokastër.

“U tronditëm shumë sepse erdhi e papritur. Gruaja ka 13 vjet që kërkon të ngelë shtatzënë dhe kur morëm lajmin tetë muaj më parë ishte si një bekim nga Zoti. Por, ajo u trondit shumë nga të shtënat e lufta që u zhvillua këtu dhe s’mundi të mbërrijë në të nëntin”, citon sot Gazeta Shqiptare të thonë të dëshpëruar të afërmit e gruas.

BETEJA

Në operacionin për “gjunjëzimin” e Lazaratit morën pjesë edhe dy helikopterë, të cilët kanë transportuar efektivë policie, mes të cilëve edhe femra.

Efektivët kanë zbritur në pjesën perëndimore të Lazaratit, nga mali i Sopotit. Vetëm pak minuta pas ndërhyrjes në qendër të fshatit, forcat speciale të transportuara me helikopter arritën në vendin ku qëllohej me mitraloz të rëndë, duke marrë kështu një nga bazat e “rebelëve” që prej 5 ditësh sulmuan policinë, për ta ndaluar të përparojë drejt fshatit.

Sipas policisë, helikopterët janë përdorur nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për transportimin e efektivëve dhe mjeteve të tyre për të qenë të gatshëm për sulmin drejt qendrës së Lazaratit. Ndërkohë që, shumë banorë e kanë djegur vetë hashashin e mbetur në fshat.

Policia deri dje kishte arritur të bllokonte daljen e lazaratasve rebelë nga mali i Sopotit, ndërkohë që operacioni për mësymjen drejt qendrës është kryesuar nga kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi

DREJTUESIT

Operacioni i futjes në Lazarat është drejtuar nga numri 2 i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga. Nën varësinë e tij kanë qenë katër grupe kontrolli me nga 7 drejtues, të cilat janë vendosur në pika të ndryshme dhe prej aty kanë dhënë urdhrat për koordinimin e të gjithë operacionit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit