Transmetuar më 20-06-2014, 23:41

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, gjatë ditës së sotme dha një prononcim për mediat në qendër të Komunës Lazarat, mbi ecurinë e operacionit. Didi akuzoi prokurorinë se po pengon procedurat në Lazarat. Ai paralajmëroi se nga ky fakt, policia po rrezikon të qëndrojë për javë të tëra në male në këtë operacion të nisur prej një jave. Ankesa të ngjashme për Prokurorinë bëri sot nga Lazarati, edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri (Shikoni videot më poshtë).

“Unë jam këtu për të treguar që operacioni vazhdon, që policia është e vendosur të realizojë të gjithë objektivat e saj, objektiva me karakter operacional, që lidheshin me goditjen e grupit kriminal dhe vënien e tij para drejtësisë. Gjithashtu ne jemi të vendosur e do të çojmë deri në fund operacionin për të sekuestruar të gjithë armët, që ndodhen në këtë fshat, të cilat siç e keni treguar dhe ju përmes ndjekjes hap pas hapi të operacionit janë të shumta. Por jemi në një moment kritik, që lidhet me mbështetjen e policisë nga institucione të tjera të drejtësisë siç është prokuroria, e cila vazhdon me të njëjtin ritëm pune, me prokurorë të gatshëm, me një prokuror, që ka ardhur dy ditë më parë dhe nuk dimë se ku është nga Krimet e Rënda, kur gjithë Policia është në këmbë, gjithë populli po na ndjek dhe imagjinoni në këtë zonë që është e mbushur me aktivitet kriminal, me prova materiale që lidhen me krimin, me armë, me granatëhedhësa, me mortaja, me mitralozë të rëndë, me predha granatëhedhësi me arka të tëra, me bimë narkotike, me bimë narkotike që janë aty me kohë, që nga viti i kaluar të paketuara, me bimë narkotike që janë në bahçe dhe policia ka mbetur vetëm në këtë operacion.

Në vijim Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit iu përgjigj edhe disa pyetjeve që i gjeni të zbardhura më poshtë:

Pyetje: Duhen më shumë prokurorë apo ai prokuror që është të vijë në vendngjarje.

Është institucioni i prokurorisë që e vlerëson atë, por ecuria e operacionit lidhet shumë më veprimet procedurale që i drejton prokuroria.

Pyetje: A e mbuloni dot me ekspertë kriminalistë, a ka banorë të shoqëruar nga fshati në shtëpitë që ju keni parë e evidentuar.

Banorë të shoqëruar ka. Ne kemi nga të gjitha qarqet ekspertë, inspektorë të policisë kriminale, me qëllim që të shpejtojmë ecurinë e këtij operacioni, që edhe popullit të Lazaratit t’i krijomë mundësinë të jetojë në normalitet. Madje gjej dhe rastin për ti falënderuar për mënyrën se si reagojnë ndaj policisë, është një reagim normal, na presin nëpër shtëpi, ka patur familje që i kanë dhënë të hanë punonjësve të policisë, pasi punonjësit e policisë janë me nga 2-3 orë gjumë që flenë dhe flenë në mal dhe vazhdon operacioni pa ndërprerje. Dhe ky është dhe një detyrim që unë kam ndaj punonjësve të policisë që të mos t’i lërë ta zgjasin pafundësisht këtë operacion dhe t’i bëj thirrje Prokurorisë të tregohet më e gatshme për të na mbështetur në veprimet e tjera. 

A ka pasur koordinim më herët me prokurorinë për këtë?

Për Lazaratin ka patur procedime që kanë nisur disa muaj më parë, por në rastin në fjalë nuk ka nevojë për të pasur një rakordim. Unë kam komunikuar me Prokurorin e Krimeve të Rënda, por nuk kam arritur dot akoma, që kur ka filluar operacioni, që të komunikoj me Prokurorin e Përgjithshëm. Kemi tentuar të bëjmë një koordinim, por me një prokuror nuk kemi çfarë të koordinojmë kur ne kemi 35 grupe hetimore në këtë zonë.

Pyetje: Sa kohë mund të duhet për kontrollin e të gjitha banesave

Këtë nuk mund ta them, ajo varet nga situate që është në çdo banesë, nga sasia e lëndëve narkotike që gjejmë aty, nga lëndët plasëse që gjenden aty, që duhen të gjitha të bëhet ekspertimi, duhen të gjitha të regjistrohen, duhen të gjitha të asgjëson, duhen të gjitha të merren mostra, pra është një punë tepër e madhe dhe kjo është finalja, ajo që do ta nxjerrë me sukses këtë operacion. Pra që ky operacion duhet të dalë me sukses duke u bërë të gjithë veprimet dhe nga institucionet e drejtësisë, jo vetëm veprime policore.

Pyetje: Po në lidhje me pretendimet e disa banorëve të cilët të paktën kanë deklaruar se ka pasur dhe bastisje të shtëpive të tyre nga ana e policisë…

Unë flas me kompetencë të plotë dhe i bëj thirrje banorëve të rrinë nëpër banesa, nuk kanë pse largohen, sepse kanë shembullin e banorëve të tjerë që kanë komunikuar me policët, komunikimi është shumë normal, ata s’kanë pse largohen nga banesat dhe e jap me kompetencë që asnjë bastisje nuk ka nga punonjësit e policisë.

Pyetje: Sa është numri i të arrestuar nga ky operacion tani në Lazarat dhe sa persona janë shpallur në kërkim?

Këtë duhet ta thotë Prokuroria dhe prandaj kërkoj që të ishte Prokuroria këtu që t’i jepte përgjigje pyetjes suaj.

Pyetje: Droga do asgjësohet këtu apo do merret si provë materiale pasi kam përshtypje që do krijoheshin probleme?

Ky është problemi për sasira të tilla na duheshin parqe me automjete që tani ne nuk i kemi, prandaj ka procedura të tjera që digjen, asgjësohen, merren vetëm mostra, por kjo duhet të bëhet me autorizim të prokurorit.

Pyetje: Lexohet si mosvullnet i prokurorisë ky Z. Didi apo mund të themi si paaftësi për sa kohë prokurorët nuk janë këtu në vendngjarje?

Unë nuk mund të jap dot përgjigje për këtë pyetje. Unë dhe një herë i bëj thirrje që institucionet e drejtësisë duhet që të jenë këtu për të provuar e vërtetuar se çfarë ka ndodhur në Lazarat dhe për ti treguar dhe opinionit se çfarë vlerash monetare ka prodhuar ky vend dhe se ku janë shpërndarë pastaj duhet t’i gjejë vetë Prokuroria. 

Pyetje: Sa parashikoni se do të zgjasë operacioni z. Didi?

Nëse do vazhdohet me këto ritme besoj që do të rrimë shumë ditë e shumë javë, për këtë shpresoj që Prokuroria të sensibilizohet nga kjo dalje e Drejtorit të Përgjithshëm në media për të na mbështetur që ta mbyllim sa më shpejt.

Rama, thirrje Prokurorisë për çuarjen deri në fund të operacionit

“Sigurisht, sot, nuk është dita për t’u marrë me të gjitha. Nuk është dita për t’u marrë me “Lazaratin” tjetër, me “Lazaratin” e shtrirë në të katër anët e vendit përmes sistemit gjyqësor dhe falë prokurorësh e gjykatësish që nuk kanë asgjë të përbashkët, as me misionin dhe as me aspiratën e shkruar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë nga një popull i tërë, që nuk e përmbysi diktaturën komuniste për të rënë viktimë e diktaturës së korrupsionit në sistemin e drejtësisë.

Unë dua të ndalem këtu, duke e mbyllur aty ku është edhe tema e këtij komunikimi, me një thirrje të fortë dhe të qartë për Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës që të angazhojë veten e tij dhe gjithë forcat e shëndetshme rreth tij për t’i shkuar deri në fund fazës së dytë të këtij operacioni, që është zbardhja dhe ndëshkimi për çdo provë të zbardhur i të gjithë kësaj veprimtarie shumëvjeçare kriminale, deri në sekuestrimin e qindarkës së fundit të të gjithë pasurive dhe parave të zeza, që janë akumuluar në kurriz të njerëzve të thjeshtë, të kthyer në skllevër dhe në kurriz të një Shqipërie të tërë, nga këta kriminelë që duhet të marrin atë që meritojnë”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit