Transmetuar më 20-06-2014, 17:31

Mario Sergio Conti, një nga gazetarët më të njohur në Brazil, ndërkohë që ndodhej në bordin e një avioni nga Rio de Janeiro drejt Sao Paulos, shikon Luiz Felipe Scolarin, trajnerin e kombëtares braziliane, dhe për një gazetar, një shans i tillë i artë, për një intervistë ekskluzive nuk duhet humbur.

Në fund doli se fati i kishte rezervuar një shaka pak të kripur, por që gjithsesi arriti të ishte sërish në faqet e para të gazetave.

Personi që intervistoi gjerë e gjatë nuk ishte Scolari por Vladimir Palomo, një njeri i thjeshtë me ngjashmëri gati perfekte me trajnerin e Selecaos.

Gjithsesi, sozia e 65-vjeçarit është mësuar më reagime të tilla dhe vazhdoi lojën deri në fund, duke folur sikur të ishte vërtet tekniku i 5 herë kampionëve të botës.

Sikur të ishte në të njëjtën mendje me Felipaon, Palomo foli me elozhe për Neymar, përmendi Holandën, Gjermaninë e Italinë si rivalët më të fortë të Botërorit, ndërsa shprehu habi për eliminimin e parakohshëm të Spanjës.

Kështu, çdo gjë shkoi në perfekt si për gazetarin e njohur, ashtu edhe për Scolarin e rremë. Tre nga gazetat më prestigjioze në Brazil publikuan intervistën, por më vonë rezultoi se në të vërtetë trajneri kishte qenë gjatë gjithë ditës në Fortaleza.

Të përditshmet bënë përgënjeshtrimet e rastit dhe kërkuan ndjesë për ngatërresën, ndërsa “Folha” e Sao Paulos shkoi deri në vendimin ekstrem sa tërhoqi të gjitha kopjet e gazetës që kishte hedhur në treg.

Zakonisht Palomo paguhet për t’u shfaqur në evente të ndryshme si Scolari, por këtë intervistë e bëri gratis, pra dhuratë për Mario Sergio Conti, i cili ende s’e ka marrë veten pas këtij lëmshi që shkaktoi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit