
Anglezët po përjetojnë sërish zhgënjim të thellë, kur të gjithë shpresonin se nën drejtimin e Hodgson, kjo gjeneratë lojtarësh të rinj e të talentuar do të bënte surprizën në këtë Botëror.
Menjëherë pas disfatës së dytë kundër Uruguait, në rrjetet sociale ka plasur tallja, ironia e sarkazma.
Gjithsesi duhet thënë se nervozizmi i tifozëve anglezë deri në këto momente duket mjaft i përmbajtur.
Kështu, në Angli ka nisur të bëjë xhiro një foto, ku mes turmës së tifozëve uruguaianë dallon një skoceze me flamurin e vendit të saj.
Si për ironi, tifozja skoceze nuk bën tifo për Anglinë fqinje, por feston bashkë me mbështetësit e La Celeste.
Një tjetër foto hit në Twitter është kopertina e revistës “Private Eye”. Këtu humori qëndron te fjalët e pilotit në adresë të lojtarëve anglezë kur zbarkuan në Brazil, kur i pyet nëse duhet t’i mbajë ndezur motorët për një rikthim të shpejt në shtëpi.
Nuk ka qëndruar larg thumbimeve edhe komediani britanik Simon Brodkin. Në Twitter, ku prezantohet me emrin e karakterit Jason Bent, ai shkruan se prej vitesh kishte pritur që Anglia të luante si Spanja, dhe ja doli më në fund.
Dikush tjetër, me largimin e parakohshëm, ironizon kur pyet se cila është diferenca mes një bustine çaji dhe kombëtares angleze, dhe përgjigja është, se bustina e çajit qëndron më gjatë në filxhan sesa Anglia në Botëror.
Të tjerë pastaj vazhdojnë të kenë mllef ndaj Rooney, edhe pse ylli i United arriti të prishë mallkimin e Botëroreve, me golin e tij të parë, ndërsa me sarkazëm nuk mungojnë thirrjet, që në skuadër të rikthehet David Beckham, i dalë në pension që 5 vjet më parë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





