
Tiranë, 20 qershor 2014, NOA.al- Pas shpalljes së masës së arrestit gjatë ditës së djeshme për Zyhdi Dajtin, kreun e INUK, ai ka reaguar gjatë ditës së sotme duke u shprehur si zyrtar i Shtetit Shqiptar, por edhe si një profesionist që për vite me radhë ka shërbyer në Gardën e Republikës dhe Policinë e Shtetit ka respektin më të lartë për ligjin, të cilin gjatë gjithë viteve të punës, jo vetëm e ka zbatuar, por edhe ka nxitur qytetarët që ta zbatojnë.
“Që unë kam zbatuar ligjin edhe gjatë detyrës sime në krye të Ispektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, kjo nuk mund të vihet në dyshim. Sikundër askush nuk duhet të dyshojë në faktin se unë, që nga ky moment kur jam lajmëruar zyrtarisht nga Policia e Shtetit, do të zbatoj ligjin, do të paraqitem në institucionet përkatëse dhe do të ndjek rrugën ligjore për të vërtetuar pafajësinë time”, ka thënë dajti në një deklaratyë për mediat.
Sipas tij, ajo ç’ka i bën përshtypje dhe që nuk mund të rrijë pa e thënë publikisht, është mënyra e turpshme se si Prokuroria e Përgjithshme ka vepruar në këtë rast, duke kërkuar ndalimin e Dajtit paralelisht me arrestimin e vonuar të një personi që prej vitesh, sipas tij duhej të ishte arrestuar, të një hajduti ordiner, që për vite me radhë ka ushtruar presion dhe dhunë mbi qytetarët e Tiranës.
“Vendosja e shenjës së barazisë mes meje, një shërbyesi të shtetit që ka zbatuar vetëm ligjin e ka mbrojtur territorin nga ndërtimet pa leje e të paligjshme, dhe Florenc Hoxhës, një simboli të korrupsionit, që për vite me radhë ka lejuar lulëzimin e ndërtimeve pa leje dhe të paligjshme në kryeqytet, është e turpshme, fyese dhe pa asnjë moral.
Unë kam besim se e vërteta shumë shpejt do të triumfojë dhe jam besimplotë se drejtësia do të vendoset”, përfundon Dajti.
Ai nënvizon gjatë deklaratës së tij se është dekoruar në vitin 1996 me Medaljen “Shqiponja e artë” me dekret të Presidentit të Republikës,/a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





