
Tiranë, 19 qershor 2014, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani priti në takim një delegacion të Kongresit Euro-Aziatik Hebre të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Michael Chlenov.
Chlenov falenderoi Presidentin Nishani për pritjen dhe deklaroi se misioni i kësaj vizite është hapja e dyerve për komunitetin hebre, duke vlerësuar veçanërisht mbështetjen mbresëlënëse që shqiptarët i ofruan komunitetit hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Ky gjest, sa human aq edhe historik, duhet treguar me krenari dhe të shënohet në memorien e të gjithë hebrenjve kudo ndodhen. Kjo është një bazë e shkëlqyer për promovimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumëdimensionale mes dy popujve tanë”, tha Chlenov.
Nga ana e tij Presidenti Nishani vlerësoi këtë vizitë si dhe faktin që historia e mikpritjes dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri ka gjetur jehonë e mirënjohje të gjerë, duke afruar më shumë marrëdhëniet mes dy popujve por edhe mes Shqipërisë dhe shtetit të Izraelit. Duke shprehur vlerësimin për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve, konstatuar edhe gjatë vizitës së tij në Izrael, Kryetari i Shtetit shqiptar vërejti se ka ende hapësirë për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve në të gjitha fushat. Presidenti Nishani shtoi se prezenca aktive e ambasadës së Izraelit në Tiranë, por edhe Kongresi Euro-Aziatik Hebre, padyshim do të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





