Transmetuar më 19-06-2014, 15:09

Vicente del Bosque e di shumë mirë që duhet të nxjerrë konkluzione e të japë sqarime pas një eliminimi kaq të dhimbshëm të Spanjës nga Botërori, megjithatë kërkon kohë për të reflektuar. Edhe e ardhmja e tij varet nga ky proçes.

“Eshtë e sigurt se do të ketë pasoja, kur ndodh diçka negative në një kompeticion kaq të rëndësishëm si ky.

Nuk dua t’i futem analizave tani sepse kemi shumë kohë përpara. Do të kërkojmë më të mirën për futbollin spanjoll dhe këtu bëj pjesë edhe unë”.

Gjithsesi trajneri i kampionëve të turpëruar përpiqet të shpjegojë se çfarë nuk shkoi në lojën e La Rojas.

“Në të dyja takimet nuk ishim të gjendje të tregoheshim superiorë. Ndaj Kilit, në pjesën e parë ishim të ndrojtur, ndërsa në të dytën pati më shumë aksion, por goli nuk erdhi.

Megjithatë duhet kohë për të analizuar gjithçka. Kemi 24 apo 25 ditë që jemi të gjithë bashkë dhe mendonim se ishim në kushte optimale”.

Del Bosque pohoi se spanjollëve u mungoi fati dhe ishin inferiorë, por nuk la pa vlerësuar edhe La Rojan kiliane që i eliminoi.

“Nuk dua ta përsëris. Kili luajti ashtu siç e prisnim, me forcë të jashtëzakonshme fizike, kurajo dhe trimëri, ndërsa ne luftuam deri në fund, por për fat të keq nuk ia dolëm. Kombëtarja kiliane do të jetë një rivale shumë e fortë për këdo që do ta ketë përballë”.

I trishtuar e me lot në sy, kapiteni Iker Casillas u kërkoi ndjesë të gjithë tifozëve të Spanjës, duke thënë se të gjithë lojtarët janë përgjegjës për këtë eliminim të dhimbshëm.

Portieri i Realit nuk dha garanci nëse karriera e tij me La Seleccion do të vazhdojë, teksa theksoi se ky grup lojtarësh kampionë nuk e meritonte një finale të tillë.

Edhe Sergio Ramos, ndërkohë që u kërkoi falje tifozëve, pohoi se ky nuk mund të jetë fundi i një cikli, pasi Spanja ka një të ardhme të ndritur përpara me këtë grup lojtarësh që kanë bërë histori.

Në lidhje me vazhdimësinë e teknikut Del Bosque, për Ramos, asnjë nga lojtarët nuk ka të drejtë fjale apo vote, por cilido qoftë vendimi i 63-vjeçarit, ai duhet respektuar.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit