Transmetuar më 18-06-2014, 09:16

Tiranë, 18 qershor 2014, NOA.al- Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha priti në një takim delegacionin e Komitetit për Çështje të Bashkimit Europian të Parlamentit irlandez, i kryesuar nga Dominic Hannigan.

Gjatë takimit Gjosha i shprehu delegacionit falenderime për mbështetjen e vazhdueshme që i është dhënë Shqipërisë nga ky shtet.

Ministrja informoi zyrtarët irlandezë mbi punën e bërë deri tani nga qeveria në lidhje me 5 prioritetet e lëna nga BE.

Duke u ndalur tek progres-raporti i publikuar nga Komisioni Europian, ministrja deklaroi se rekomandimi është i qartë dhe nuk lë vend për interpretime në raport me Shqipërinë.

“Marrja e një vendimi pozitiv nga vendet anëtare, do të ishte një sinjal mjaft pozitiv për qeverinë dhe për popullin shqiptar, që të vazhdojë në rrugën e reformave. Ne duam të mbajmë lart besimin që qytetarët tanë kanë tek projekti europian, i cili është modeli më i mirë i civilizimit. Jemi të vetëdijshëm  që kemi shumë punë për të bërë, por një pjesë e problemeve të vendit tonë, janë të njëjta edhe në vendet e tjera të Bashkimit Europian”, u shpreh Gjosha.

Nga ana e tij kreu i delegacionit irlandez, Hannigan, u shpreh se Irlanda mbështet politikën e zgjerimit të  Bashkimit Europian.

“Ne mbështesim kandidimin e Shqipërisë për në Bashkimin Europian, zgjerimin e BE-së, si mundësia  më e mirë për zhvillimin social dhe ekonomik të vendeve të Europës. Irlanda ka firmosur deklaratën duke  bërë publik qëndrimin e saj për Shqipërinë”, tha Hannigan.

Hannigan nënvizoi se është  me shumë rëndësi njohja e përgjegjësive, përfitimeve dhe detyrimeve që rrjedhin nga ky proces.

Ministrja Gjosha i bëri me dije delegacionit irlandez se prej muajsh ka nisur një fushatë informuese tek të rinjtë e cila do të vijojë në të gjithë vendin./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit