
Tiranë, 17 qershor 2014, NOA.al- Avokati i Popullit mbështet aksionin e nisur nga policia e shtetit në Lazarat për vendosjen nën kontroll të çdo cep të territorit dhe luftën pa kompromis kundër trafikut të drogës.
Avokati i Popullit ka shprehur shqetësimin ne tij përmes një deklarate, për situatën e krijuar si dhe dënon me vendosmërinë më të madhe çdo sulm ndaj Policisë së Shtetit.
“Avokati i Popullit dënon sulmin kundër gazetarit dhe pronës së një televizioni privat në Lazarat ndërsa media po kryente detyrën e saj në funksion të informimit të publikut. Avokati i Popullit kërkon nga forcat e policisë kapjen dhe vënien para drejtësisë së përgjegjësve të këtij sulmi ndaj medias si dhe vlerëson maksimalisht punën e të gjitha mediave për të informuar dhe paraqitur me vërtetësi situatën e krijuar në terren duke vënë në rrezik madje dhe jetën e tyre”, thuhet në deklaratën e institucionit të Avokatit të Popullit.
Ky institucion i kërkon çdo banori të Lazaratit dhe zonave përreth që të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit dhe t’ju përgjigjen thirrjeve të saj, duke u distancuar nga elementët kriminal.
Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka ftuar autoritetet shtetërore dhe organet ligjzbatuese që në çdo moment apo fazë të zhvillimit të këtij operacioni, të kërkojnë dhe të shterojnë çdo mundësi dhe çdo rrugë të mundshme për zgjidhje paqësore dhe ruajtjen e jetëve njerëzore.
Nga ana tjetër Institucioni i Avokati të Popullit i bën thirrje individëve që ushtrojnë aktivitet kriminal në Lazarat që të ulin armët, t’i dorëzohen policisë, duke iu nënshtruar zbatimit të ligjit.
Bëhet e ditur se një grup pune i Institucionit të Avokatit të Popullit po ndjek situatën në çdo moment./a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





