
Diego Armando Maradona ka mbetur i zhgënjyer nga mungesa e bashkëpunimit mes Sergio Agueros dhe Gonazalo Higuain, në sfidën që Argjentina fitoi 2-1 përballë Bosnje Hercegovinës.
Një autogol i Sead Kolasinac i dha kryesimin amerikano-jugorëve që në fillim të takimit, ndërkohë që një perlë e Lionel Messit vulosi fitoren e Argjentinës përpara se Vedad Ibisevic të ngushtonte rezultatin pak përpara fundit.
Trajneri i kombëtares Albiceleste, Alejandro Sabella e nisi ndeshjen ndaj ballkanasve me Agueron e Messin në sulm, ndërkohë që në fillimin e fraksionit të dytë futi në lojë Higuainin duke kaluar në skemën 4-3-3.
Sipas Maradonës duke përjashtur Messin, paraqitja e dy sulmuesve të tjerë të Argjentinës nuk ishte aspak e kënaqshme.
“Lionel Messi e dëshironte një gol më shumë se çdokush tjetër. Ai e përmbushi objektivin e tij teksa realizoi një gol spektakolar që i hapi rrugën e fitores Argjentinës. Skuadra luajti më mirë në pjesën e dytë pasi e dinte që nevojitej një tjetër finalizim. Messi, Angel Di Maria, Aguero e Higuain të gjithë lëviznin diagonalisht.
Sapo Messi arriti objektivin e tij ekipi filloi të sulmonte më shumë. Megjithatë nuk më pëlqeu aspak bashkëpunimi mes Agueros e Higuainit, pasi nuk arritën të kombinonin me njëri-tjetrin në asnjë moment.
Në përgjithësi besoj se zhvilluam një ndeshje të mirë ndaj një skuadre të fortë, por pavarësisht kësaj kemi ende shumë punë për të bërë”.
Pas fitores me Bosnje Hercegovinën, Argjentina do të përballet me Iranin më 21 qershor për sfidën e tyre të dytë në Grupin F, ndërkohë që do ta mbyllë fazën e grupeve me takimin ndaj Nigerisë më 25 qershor.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





