
Tiranë, 17 qershor 2014, NOA.al- Partia Demokratike ka reaguar për të parën herë që nga momenti që efektivët e policisë kanë ndërhyrë në Lazarat.
Në qëndrimin e partisë më të madhe në opozitë, thuhet se PD është dhe mbetet, mbështet dhe do të mbështesë çdo vendim dhe aksion kundër narko-trafikut.
“Ne mbështesim forcat e policisë në aksionet e tyre, sikundër u bëjmë thirrje qytetarëve të distancohen nga elementët me precedentë kriminalë. Çdo sulm ndaj policisë është goditje ndaj shtetit. Partia Demokratike mbështet pa asnjë rezervë luftën kundër trafikut por ne i bëjmë thirrje profesionistëve të mbetur në polici të ruajnë jetët e qytetarëve dhe punonjësve të rendit dhe të ndalin çdo veprim që ushtron terror psikologjik ndaj popullatës civile. Ne nuk presim që këtë kujdes ta bëjë Rama dhe Tahiri, pasi atyre nuk u intereson jeta e banorëve dhe e policëve”, thuhet në qëndrimin e PD.
Më tej shtohet se pseudofushata e Ramës dhe Tahirit, është një pozicionim taktik “T’ia hedhim botës – me karakter propagandistik dhe selektiv”.
PD deklaron se narkotrafikantët e punësuar në zyrat e shtetit nuk mund ta luftojnë drogën. Në vijim nënvizohet se ata mund të lajnë hesapet me njëri-tjetrin, por kjo nuk është luftë ndaj drogës, por luftë për kapjen e tregut. Sipas PD, droga nuk luftohet nga përdoruesit dhe trafikantët por nga aleanca e njerëzve të ndershëm./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





