
Një gol i Dempsey pas vetëm 30 sekondash, shtron rrugën e amerikanëve drejt fitores. 30 sekonda lojë i mjaftojnë Shteteve të Bashkuara për të nisur ëndrrën amerikane në Botëror.
Goli më i shpejt në histori për përfaqësuesen amerikane i realizuar nga Dempsey, jo vetëm që i jep atyre avantazhin, por gjithashtu dhe një fillim të mbarë të një ndeshje që ashtu siç nisi dhe u mbyll, pasojë e përmbysjeve në të dyja kampet, me amerikanët që morën pikët maksimale, në një grup, në të cilin nuk do të jetë e lehtë të arrihet në 1/8 duke pasur parasysh dhe praninë e Gjermanisë e Portugalisë.
Finalizimi i Dempseyt, në minutën e parë, turbullon kaq shumë Ganën sa duhet të kalojnë disa minuta për të kuptuar se deri në fund ka ende dhe shumë kohë për t’u luajtur.
Rastin e parë të vërtetë drejt portës amerikane, afrikanët e realizojë në minutën e 29-të me një goditje nga distanca të Christian Atsut.
Në apel Howardin e thërret dhe Gyan Asamoah dhe portieri amerikan përgjigjet me një super pritje.
Skuadra e Klinsman ruan rezultatin pas 45 minutave të para, ndërsa Gana rikthehet më e karikuar në pjesën e dytë, por goditjet e saj gjithsesi vijnë nga jashtë zone, si në minutën e 55-të, kur Muntari nuk gjen siç duhet koordinatat e portës kundërshtare.
Pak çaste më vonë, Howard fluturon sërish për të ndalur goditjen me kokë të Asamoah, që është më i rrezikshmi në radhët e të tijve.
Gana e ka të vështirë të zhbllokohet, dhe një prej tifozëve të saj në tribunë duket sikur kërkon të çlirojë kombëtaren e tij nëpërmjet magjisë, dhe në fakt pas vetëm dy minutash ganezët arrijnë të barazojnë me Andre Ayeë.
Megjithatë, magjinë e vërtetë e bën Brooks, që kërcen duke i dhënë avantazhin të tijve në të 87-tën.
Deri në fund nuk ka më kohë dhe Amerika merr revanshin e saj ndaj Ganës, që katër vjet më parë i eleminuan me të njëjtin rezultat në Botërorin e Afrikës së Jugut.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





