
E pranon Alejandro Sabella se Argjentina e tij arriti të nxirrte anën më të mirë të Lionel Messit vetëm në pjesën e dytë, pikërisht atëherë kur ai shënoi golin vendimtar në fitoren 2-1 ndaj Bosnje-Hercegovinës.
Në mitikun Maracana, nga ylli i Barçës u vu re një influencë e vakët në 45 minutat e para dhe në rifillimin e lojës, tekniku i Albicelestes aktivizoi Gagon dhe Higuain, për t’i dhënë më shumë shpirt luftarak skuadrës.
“Ishim dominues ndaj Bosnjes në pjesën e parë, por pa mundur të depërtonim dhe të impononim lojën tonë.
Këtë e arritëm në të dytën, kur Higuain u erdhi në ndihmë dyshes Messi-Aguero. Nga ky moment pamë lojën karakteristike të Argjentinës.
Messi është lojtari më i mirë në botë dhe nuk është se ka nevojë për shumë mbështetje në lojë, mjafton që të furnizohet vazhdimisht nga të tjerët”.
Zëvendesimin e Sergio Aguero nga fundi i takimit, Sabella e justifikoi duke thënë se sulmuesi i Manchester City thjesht ndihej i lodhur, ndërkohë që iu rikthye debatit nëse pa Kupën e Botës, a është Messi më i miri?
“Cfarëdo që të ndodhë në këtë botëror, Messi mbetet më i miri i ditëve të sotme dhe një ndër më të mirët e të gjitha kohërave. Ai nuk ka nevojë për Kupën e Botës që të rikonfirmojë aftësitë e tij”.
Pas suksesit të parë në Grupin F foli edhe heroi i argjentinasve. Jashtëzakonisht i kënaqur për këtë fitore, megjithatë Lionel Messi pranoi se La Celeste ka ende vend për t’u përmirësuar.
Në takimin e parë sipas tij, sigurisht që do të kishte ankth e dyshime sepse kështu ndodh në çdo debutim, por rëndësi ka që skuadra arriti të fitojë përballë një kundërshtari të fortë siç ishin ballkanasit e Bosnjes.
Mijëra tifozë e përshëndetën zhurmshëm Messin në Maracana, kur ai la fushën. Për numrin 10, nuk ekziston asnjë dyshim tek mbështetja e tifozerisë argjentinase, por më shumë rëndësi se çdo gjë ka marrja e Kupës në të njëjtin stadium më 13 Korrik.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





