
Dritat e “Maracana” ndriconin për katër herë fituesin e “Topit të Artë” dhe Lionel Messi e shfrytëzoi skenën e impiantit legjendar duke shënuar një gol të jashtëzakonshëm, që jo vetëm vulosi suksesin e Argjentinës, por gjithashtu ndryshoi krejtësisht paraqitjen e vetë futbollistit në fushë, i cili deri në minutën e 65-të dukej sikur kishte përfunduar në “kafazin” e mbrojtësve boshnjak.
La Selesion mundi 2-1 Bosnje Hercegovinën në një 90 minutësh jo shumë spektakolar, por efikas, pasi skuadra e Sabellas shënoi në momentet kyçe të takimit, përballë një Bosnje, që u përpoq të tregohej e madhe por rezultoi e vogël në përvojë, aq sa fanella e argjentinasve e asfiksoi.
Në fillimin e takimit, Argjentina dha përshtypjen sikur kjo do të ishte sfida që do të “mbillte” spektaklin e saj në impiantin e “Maracanas”.
Lionel Mesi harkoi drejt zonës duke gjetur këmbët e Kolasinac, i cili në mënyrë të pafat devijoi topin në portën e tij.
Goli megjithatë nuk e nxori nga plani i saj skuadrën e Susic, që me kalimin e minutave fitoi terren duke treguar se jo më kot shihej si surprizë.
Në të 14-tën madje, Misimovic provoi të gjente Hajrovic, por Romero u tregua guximtar duke ja larguat topin nga këmbët.
Argjentina humbi në rrjetën e ngritur nga boshnjakët për minuta të tëra ashtu si dhe Mesi, me ballkanasit që filluan të diktonin ritmin e tyre.
Në minutën e 41-të, debutuesit ju afruan barazimit me Lulic, por një pritje e shkëlqyer e Romeros çoi amerikano-jugorët në avantazh në dhomat e zhveshjes.
Nuk ndryshoi shumë situata as në startin e pjesës së dytë, me Bosnjen që kishte më shumë iniciativën.
Argjentina u pa nga anët e Begovic vetëm në të 60-tën, që arriti të neutralizojë një goditje të Sergio Aguero.
E veçanta e lojtarëve të mëdhenj është se dalin në skenë dhe atëherë kur nuk duken në ditën e tyre të mirë. Të njëjtën gjë bëri dhe Messi, që në minutën e 65-të, tregoi klasin e tij duke i dhënë fund agjerimit tetë vjeçar në një Botëror.
Një gol që qetësoi argjentinasit, të cilët më në fund mundën t’i japin gaz takimit, me Sergio Agueron që provoi dhe ai të gjente golin por trajektorja nuk ishte ajo e duhura. Bosnja megjithatë e meritonte një gol për atë që dha në fushën e lojës, dhe golin e parë historik në një Botëror për boshnjakët e realizoi Vedad Ibisevic, që në minutën e 85-të shkurtoi diferencën për të tijtë.
Në çastet e mbetura Messi kishte dhe një mundësi për një finalizim të dytë por nuk realizoi, gjithsesi dhe 2-1 ishte mjaftueshëm për ta nisur me këmbën e mbarë botërorin për Argjentinën
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





