Transmetuar më 15-06-2014, 22:43

Te suksesi arrihet duke qenë i ndërgjegjshëm për vështirësitë që has ballë çdo kundërshtari.

Kjo është formula e trajnerit Joachim Low, në prag të ndeshjes me Portugalinë, më e rëndësishmja ndoshta për Gjermaninë në Grupin G.

Trajneri i Pancerave u paraqit në sallën e konferencave për shtyp duke deklaruar se me luzitanët nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, por duke vënë dhe theksin mbi forcën e kombëtares së tij, të cilën e konsideroi si shumë të vështirë për t’u mundur:

“Të dyja skuadrat kanë ardhur në Brazil për të fituar titullin dhe kundërshtari ynë duhet vlerësuar.

Do të vendosen përballë kombëtarja e dytë dhe e katërt në renditjen e FIFA-s, dhe besoj se do të jetë një ndeshje fantastike por dhe shumë e rëndësishme.

Ata kanë lojtarë shumë të aftë teknikisht, por nëse ne luajmë si një skuadër, nëse mbrohemi mirë, dhe nëse shfrytëzojmë rastet që na paraqiten, atëherë mendoj se kemi mundësi shumë të mira për të fituar takimin dhe për të arritur larg në këtë turne. Portugalinë e vlerësojmë, por Gjermania është e vështirë për t’u mundur”.

Shqetësimi kryesor është prania e Bastian Schweinsteiger, i cili sipas Low është riaftësuar, por FIFA kërkon që ai t’i nënshtrohet kontrolleve shtesë për të qenë të sigurt për shëndetin e tij:

“Ne i kemi bërë të gjitha kontrollet dhe Bastian nuk ka më probleme në gju, por FIFA na ka kërkuar që ta nënshtrojmë me kontrolle të tjera plus, pasi dëshirojnë që çdo futbollist të jetë plotësisht në 100 përqind të formës së tij fizike, nëse do të zbresë në fushë”.

I pranishëm në konferencë ishte dhe Manuel Neuer, që konfirmoi praninë e tij në fushë dhe gjithashtu e cilësoi si shumë të rëndësishme përballien me Portugalinë, sa i përket ecurisë së Gjermanisë në këtë Botëror.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit