
Është 23 vjeçari nga Gostivari, Admir Mehmedi që i jep nuancën e parë shqiptare Kupës së Botës, edhe pse goli që shënoi shkon për llogari të Zvicrës multietnike që i falet para së gjithave shqiptarëve të saj, jo vetëm Mehmedit për golin, por Xherdan Shaqirit që u konfirmua lideri i lojës së helvetëve, apo dhe të tjerëve si Valon Behrami, Blerim Xhemaili e Granit Xhaka, për ngjitjet e shkallëve në rang global me pjesëmarrjen e saj për herë të tretë në një Botëror, në Brazil 2014 ku në debutim arriti një fitore dramatike 2-1 me Ekuadorin në sfidën e parë të Grupit E.
Kishte rreshtuar 3 shqiptarë në formacionin titullar Otmar Hitzfeld, Valon Behrami, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka. Edhe gërvishtja e parë e sfidës ishte shqiptare me Granit Xhakën, që lëshoi një goditje nga 30 metra në minutën e 13-të me topin që përfundoi shumë lart.
Goditja e parë në pasqyrën e portës sërish shqiptare, mban firmën e Xherdan Shaqirit, e majta qendrore e të cilit gjithsesi ishte pre e lehtë për Domingues, që u impenjua seriozisht në minutën e 20-të nga Ricardo Rodriguez për të devijuar në korne.
Zvicra në kërkim të golit, por fati puthi Ekuadorin që i kapi në befasi helvetët në minutën e 23-të me Enner Valencian që zhbllokoi rezultatin. “El Trikolor” kaloi në avantazh në një goditje standarde të goditur nga Ayovi dhe Valencia i pashqetësuar shënoi me kokë.
Reagimi i Zvicrës menjëherë me pas, erdhi me Shaqirin me goditjen e tij që u devijua në goditjen e këndit, ndërsa në minutën e 35-të, futbollisti i Bayernit të Mynihut pas një të majte të tij kërkoi një penallti për prekje të topit me dorë, por arbitri Irmatov nuk i dha të drejtë.
3 minuta më vonë provoi nga jashtë zone edhe Granit Xhaka, dhe Zvicra rriti intensitetin e lojës e udhëhequr pikërisht nga Shaqiri, ndërsa mbetën në hije Stocker e Drmic, por pjesa e parë u mbyll në avantazh për Ekuadorin dhe helvetëve nuk ju mjaftoi 66% e zotërimit të topit dhe loja rinisi me Hitzfeld që votoi menjëherë për një ndryshim.
Stocker mbeti në dhomat e zhveshjes dhe në vend të tij u fut Admir Mehmedi për ta çuar në 4 numrin e shqiptarëve në fushë, dhe 23 vjeçarit nga Gostivari ju deshën vetëm pak minuta për t’i dhënë jetë përmbysjes zvicerane me golin e parë shqiptar në një Botëror.
Për të shënuar një gol që padyshim përveçse në Zvicër, është festuar jo pak dhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e në shqiptarinë anembanë Botës.
Dhe shpirti i Zvicrës ishte pikërisht te shqiptarët, pasi në minutën e 54-të Shaqiri orkestroi një kundërsulm të rrezikshëm me Mehmedin që hyri në zonë por gaboi ne topin e fundit.
Ekuadori u përgjigj në të 60-n me një të djathte të bukur të Enner Valencias me topin që përfundoi vetëm pak jashtë zonës.
Në të 69-n Zvicra shënoi, por goli u anullua pasi Drmic ishte në pozicion jashtë loje. Në të 73-n Zvicra vodhi topin në mesfushë dhe u nis në një tjetër kundër zbritje, por Shaqiri me topin e tij kapi vetëm pjesën e jashtme të rrjetës.
Një minutë më pas një keqkuptim mes Benaglio e Djouror për pak sa nuk i mundësoi Ekuadorit golin e dytë me Von Bergen që shpëtoi “in extremis”.
Finale e ndezur, dhe për të kompletuar tablon e një fitoreje me protagonistë shqiptarë, në minutën e 93-të spikati Valon Behrami, fillimisht shpëtoi skuadrën e tij nga një gol i sigurt e pastaj me një shpirt natyrisht shqiptar e jo zviceran u nis në një kundërsulm fatal, që vijoi me krosin e Rodrigez dhe golin në sekondat e fundit të Seferociv.
Zvicra feston në këtë mënyrë fundin më të bukur me një përmbysje “in extremis”, për të cilën ju falet padyshim shqiptarëve, të gjithë protagonistë, me Xherdan Shaqirin që u vlerësua njëkohësisht dhe si njeriu i ndeshjes.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





