
Në Estadio Amazonia të Manausit, Italia arriti një fitore shumë të rëndësishme me rezultatin 2-1 përballë Anglisë, por pavarësisht suksesit ndaj përfaqësueses së “Tre Luanëve”, në shtëpinë e Italisë janë të shqetësuar për gjendjen e portierit dhe kapitenit të skuadrës Gianluigi Buffon.
Pas deklaratës së vetë gardianit 36-vjeçar në rrjetin social Twitter, ku Buffon bënte të ditur fundin e një ëndrre, numri 1 i të kaltërve është shfaqur më shumë optimist dhe ka premtuar se do të kthehet sa më shpejtë të jetë e mundur.
Sipas disa informacioneve të fundit që vijnë nga vendgrumbullimi i Italisë në Brazil, bëhet e ditur se Buffon vazhdon të ketë probleme në kavilje, por pavarësisht kësaj portieri i Juventusit do të kthehet të mbrojë portën e të kaltërve në sfidën e tretë të grupit ndaj Uruguait.
Botërori i Brazilit nisi në mënyrën më të keqe për kapitenin, dhe nuk është hera e parë që Buffon ka probleme në startin e një eventi madhor pasi një gjë e tillë i ka ndodhur edhe në Europianin e vitit 2000, në Botërorin Afrikë e Jugut 2010, ku për shkak të problemeve në shpinë mungoi në sfidën e parë me Paraguain.
Megjithatë këtë herë gjërat pritet të shkojnë më mirë për Buffon që do të humbasë edhe në ndeshjen e dytë me Kosta Rikën, ndërkohë që sipas të gjitha gjasave, 36-vjeçari do të mbrojë portën e Italisë në ndeshjen ndaj Uruguait.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





