
Tiranë, 15 qershor 2014, NOA.al- Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënëses Lara Vorpsi, deklaroi se administrata dhe Policia e Shtetit, janë bërë streha e sigurtë e personave me precedentë penalë dhe personave të dënuar për trafik droge.
Vorpsi tha se, “Binak Dobrushi, i arrestuar në dhjetorin e vitit 2008 me rreth 2 kilogramë heroinë, i konsideruar si grosisti i rrjetit të drogës në Tiranë, drogë që përfundonte edhe në shkollat e fëmijëve tanë, i dënuar nga gjykata, është sot një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Drejtorit të Rendit Publik në Ministrinë e Brendshme. Me detyrën që ka në krah të Drejtorit të Rendit Publik, i dënuari për trafik droge, ka marrë sot me Edi Ramën, imunitetin dhe lehtësirat që i duhen për të ushtruar aktivitetin e tij. Prandaj kthimi i Shqipërisë në një laborator të madh droge, nuk është një zhvillim rastësor”.
Sipas saj, kjo ndodh, sepse në administratë, në poste kyçe, janë vendosur persona të arrestuar e të dënuar në të kaluarën për trafik droge.
Zëdhënësja e demokratëve tha se emërimi i Dobrushit dhe i personave të tjerë me precedent penal, është i qëllimshëm, ndërsa ftoi që klikohet në google me emrin e tij, duke thënë se do të shihen dhjetëra artikuj të shtypit që flasin për drogën që i kanë kapur, dhe historinë e tij.
Ajo ngriti pikëpyetje se si ka mundësi që Ministria e Brendshme nuk e bën dot një verifikim minimal, duke shtuar se ky kontroll nuk vlen, pasi me Edi Ramen, të inkriminuarit janë në listën e të preferuarve./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





