Transmetuar më 15-06-2014, 14:06

Italia pavarësisht të gjitha dyshimeve që e shoqëruan deri në mbërritjen në Brazil, arriti jo vetëm t’i gjunjëzojë Tre Luanët e Hodgson, por ka kënaqur me lojën spektakolare.

Tekniku i të kaltërve, Cesare Prandelli e ka konfirmuar titullar, e vlerëson në maksimum, por ndërkohë preferon ta motivojë edhe më tepër Super Marion, heroin e takimit në “Arena Amazonia”.

“Ua kam thënë se mund të bëjë akoma më shumë. Duhet të mësojë që me lëvizjet e tij mund të finalizojë lojën.

Me forcën që ka, duhet të japë edhe më shumë për skuadrën”. Inkurajim për Balotellin dhe fjalë më të ëmbla ndërkohë, për skuadrën e kaltër.

“Ishte një ndeshje epike që do ta kujtojmë gjatë gjithë jetës, kundër një prej ekipeve më të forta në Botëror. Anglia është vërtet e fortë, ka ndryshuar shumë nga epoka e lojës me topa të gjatë.

Tani ka një stil më modern dhe efikas me sistem 4-2-3-1. Po t’i marrim kokë më kokë, nuk kemi lojtarë aq të fortë sa ata, por u treguam të zotë duke shfrytëzuar çdo hapësirë. Pak skuadra e kanë kualitetin tonë në mesin e fushës me klasin e Pirlos, që dirigjon aksionet”.

Për Prandellin, loja e italianëve në Amazonia ishte e vështirë ashtu siç ishte parashikuar, por asgjë më tepër.

“Pa time-out do të ishte një çmenduri, por për fat të mirë arbitri u tregua i ndjeshëm. Eshtë e vështirë të rikuperosh topin dhe të japësh spektakël në këto kushte, megjithatë jam i kënaqur. Profesionaliteti në stërvitje dhe vuajtja në fushë, këto na bëjnë një skuadër të madhe”.

Një koment në fund edhe për mungesën e madhe në kampin e të kaltërve.

“Buffon u dëmtua dhe për fat të keq koha nuk ishte e mjaftueshme për rikuperimin e tij. Sirigu gjithsesi u tregua mjaft i zoti dhe jo më kot ka luajtur si protagonist në Champions League”.

Nga ana tjetër, Mario Balotelli, njeriu që përcaktoi triumfin përballë anglezëve, deklaroi se të gjitha skuadrat e tjera duhet t’i tremben Italisë.

Shumë i emocionuar për Botërorin e tij të parë, sulmuesi 23-vjeçar tha se golin ia dedikon gruas së tij të ardhshme që e ndoqi nga shkallët e Amazonias, familjes dhe të gjithë miqve.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit