Transmetuar më 15-06-2014, 13:58

Kombëtarja e Italisë shënoi fitore me rezultat 2:1 kundër Anglisë, në ndeshjen e parë të grupit D në Kampionatin Botëror "Brazili 2014".

Ndeshje e bukur, me plot raste shënimi, që solli emocione të pakufishme tek tifozët e zjarrtë të futbollit.

Si Anglia, po ashtu edhe Italia bënë lojë të hapur, me veprime të shpejta dhe sulmuesit qoftë të njërës palë dhe skuadrës tjetër, ishin të rrezikshëm.

Në minutën e 35-të, Claudio Marchisio, me dinakërinë e tij nga rreth 20-21 metra, dërgoi gjuajtje të fuqishme, duke befasuar portierin Hart dhe 0:1.

Anglezët brenda dy minutave 37′, kundërpërgjigjen dhe barazuan rezultatin 1:1 pas një veprimit të shpejtë të Rooneyt, i cili për bukuri harkoi, ndërsa Daniel Sturridge nga afërsia me gjuajtje të fortë mposhti portierin italian Sirigu.

Italianët patën dy mundësi të arta që të kalojnë në epërsi në fund të pjesës së parë. Në pjesën e dytë, të dyja ekipet bënë lojë të hapur e me raste shënimi.

Futbollisti Balotelli me shokë ishin në nivelin më të lartë. Candreva në minutën e 50-të pas një harkimit të shkëlqyeshëm e gjen Balotellin e pambuluar, i cili nga afërsia, me kokë e plasoi topin në rrjetë dhe 1:2.

Në minutën e 62-të, Rooney, në një pozicion fenomenal, nga rreth 12-13 metra, gjuajti rrëmbyeshëm por topi shkoi jashtë portës së portierit Sirigu.

Në minutën e 90-të, Pirlo nga gjuajtja e lirë rreth 22-23 metra, goditi fort, por tërthorësja shpëtoi portën e Hart.

Italia shënoi fitore të madhe, e cila klasifikohet në vend të dytë me 3 pikë sa ka edhe i pari Kostarika, kurse Anglia renditet e treta me zero pikë, sikurse edhe Uruguai i katërti. Me 19 qershor Uruguai takohet me Anglinë dhe një ditë më vonë Italia ndeshet me Kostarikën.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit