Transmetuar më 15-06-2014, 12:47

 Durrës, 15 qershor 2014, NOA.al- Kryeministri i vendit, Edi Rama e cilësoi vizitën e Papa Françesku në Shqipëri, si një ogur të mrekullueshëm në vigjilje të vendimit që Bashkimi Europian do të marrë në lidhje me statusin e vendit kandidat të Shqipërisë.

“Kjo është një vizitë që i bëhet çdo shqiptari, njësoj si çdo qytetari të Europës në emër të dashurisë mes njerëzve e paqes mes popujve. Ky është një ogur i mrekullueshëm në vigjilje të vendimit që BE do të marrë në lidhje me statusin e vendit tonë. I shpreh mirënjohje Atit të Shenjtë për përmbushjen e shpejtë të kërkesës sime për mbërritjen në Shqipëri. Më lejoni ta mbyll sot me një urim të pazakonshëm por që më vjen natyrshëm: “Zoti e bekoftë gjithmonë Shqipërinë kështu!”, tha Rama.

Ai e ka bërë këtë deklaratë, pas vizitës në Muzeun Arkeologjik në qytetin e Durrësit.

Detaje mbi vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri

Sot në orën 13.00 në Selinë e Arqipeshkëvisë së Tiranë-Durrësit, Nunciatura Aostolike, në praninë e Imzot Ramiro Molinar Ingles, Nunci Apostolik, të Imozt Rrok Mirditës, Arqipeshkev Metroplit i Tiranë- Durësit, të Dr. Albert Nikollës, Drejtor i Karitasit Shqiptar, u mbajt një Konferencë për shtyp lidhur me vizitën e Papës Françesku në Shqipëri më 21 shtator 2014.

Nunci Apostolik Imzot Ramiro Molinar Ingles, në një deklaratë për mediat dha detaje të mëtejshme për vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri.

“Kam kënaqësinë t’ju komunikoj se Shenjtëria e tij, Papa Françesko ka pranuar ftesën që i është drejtuar dhe mendon të bëjë një vizitë të shkurtër në Shqipëri, të shtunën, më 21 shtator të vitit 2014. Ky lajm është shpallur nga vetë Papa Françesku në orën 12:00 sot.

Fjalët e Papës: “Dua të lajmëroj sot se duke pranuar ftesën e autoriteteve civile shqiptare kam qëllim të shkoj në Tiranë më 21 shtator të këtij viti. Dëshiroj të konfirmoj se në këtë udhëtim të shkurtër do të dëshmoj inkurajimin dhe dashurinë time për një vend që ka vuajtur gjatë komunizmin”.

Bëhet fjalë për një udhëtim apostiulik gjatë të cilit Ati i Shenjte do të inkurajojë dhe do të thellojë raportet e mira në këtë vend për të përballuar sfidat e së tashmes dhe të ardhmes.

Ky është udhëtimi i katërt ndërkombëtar i Papës dhe i pari i bërë në Europë”, ka bërë të ditur Nunci Apostolik Imzot Ramiro Molinar Ingles.

Deklarata e plotë e Nunciaturës Apostolike në Shqipëri dhe  Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare

 “Shenjtëria e Tij Papë Françesku ka pranuar me kënaqësi ftesën që i ishte drejtuar, qoftë nga Konferenca Ipeshkvnore (Ipeshkëvijtë katolikë të Shqipërisë), qoftë nga Autoritetet e Shtetit Shqiptar dhe mendon të bëjë një vizitë të shkurtër në Shqipëri, të dielën, më 21 stator të këtij viti 2014.

Ky lajm është shpallur nga vetë Papë Françesku gjatë lutjes së “Angelus” në Sheshin Shën Pjetër, sot në orën 12.00.

Bëhet fjalë për një “udhëtim apostolik” gjatë të cilit Ati i Shenjtë si Ipeshkëv i Romës dhe Udhëheqës i Kishës Katolike do të ketë mundësinë, jo vetëm të takojë dhe të forcojë në fe bashkësinë katolike në Shqipëri, por edhe të inkurajojë dhe të thellojë raportet e mira tashmë ekzistuese në fushën ekumenike dhe ndërfetare në këtë Vend, si dhe të shoqërojë e të nxisë të gjithë popullin shqiptar për të përballuar me guxim, shpresë, zemërgjerësi e shpirt solidariteti sfidat e të tashmes dhe të së ardhmes që ndërthuren në ndërtimin e Shqipërisë së re të rilindur.

Ky udhëtim i Papë Françeskut ndodh 21 vite pas vizitës historike dhe të paharrueshme të bërë nga Papa Shën Gjon Pali i Dytë më 25 prill 1993, në agimin e asaj “dite të re” që për Shqipërinë, pas rënies së komunizmit, shënoi hapjen e demokracisë, të lirisë fetare dhe të të gjitha të drejtave themelore të burrit dhe të gruas.

Është i një domethënjeje shumë të lartë ky udhëtim i parë i Papë Franceskut në një Vend europian. Do të jetë udhëtimi i katërt i Tij ndërkombëtar që kur u zgjodh Ipeshkëv i Romës më 13 mars 2013: i pari ka qenë në Brazil (Amerikë), me rastin e Ditës Botërore të të Rinjëve (22-29 luglio 2013); i dyti, udhëtimi muajin e kaluar në Tokën Shenjte: Jordani, Palestinë, Izrael (Lindja e Mesme), që ka patur jehonë të madhe në mas-mediat ndërkombëtare edhe për fjalët, takimet personale dhe gjestet kurajuese të Papë Françeskut; i treti do të jetë ai, tashmë i shpallur, që do të çojë Atin e Shenjtë në Republikën e Koresë (Azi) më 14 – 18 gushtin e ardhshëm, me rastin e Takimit të VI të të rinjëve të kontinentit aziatik.

Ndër motivet që kanë sjellë Papë Françeskun të bëjë këtë vizitë të shkurtër në Shqipëri është edhe dëshmia heroike e fesë e martirëve të panumërt gjatë persekutimit të egër të besimeve të pësuar nga regjimi komunist në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, dhe shembulli i respektit të ndërsjelltë, të dialogut dhe të bashkëjetesës paqësore mes Komuniteteve të ndryshme Fetare eksistuese në këtë Vend, karakteristikë që tashmë bën pjesë në identitetin kulturor e fetar të Shqipërisë e të popullit fisnik shqiptar”.

Fjalët e Papa Françeskut duke lajmëruar vizitën në Shqipëri

“Dua t’ju kumtoj që, duke pranuar ftesën e Ipeshkëvinjëve dhe Autoriteteve civile shqiptare, dëshiroj të shkoj në Tiranë me datë 21 shtator 2014. Me këtë udhëtim të shkurtër dëshiroj të përforcoj në besim Kishën në Shqipëri e të dëshmoj inkurajimin dhe dashurinë time ndaj një vendi që ka vuajtur gjatë pasojat e një ideologjie të së kaluarës”

Berisha: Ardhja e Papa Françeskut, një vizitë historike për të gjithë

Ish Kryeministri Berisha e ka cilësuar si një vizitë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët ardhjen e Papës.

“Kjo është një vizitë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në një akt të veçantë miqësor, respekti dhe dashurie për shqiptarët, 18 muaj pas inaugurimit, më 19 mars 2013, si shenjtëria e tij Papa Françesku dhe ftesës që pata kënaqësinë t’i bëj ditën e inagurimit, Ati i Shenjtë do të vizitojë Shqipërinë”, thotë Berisha.

Ai shton se njëlloj si Papa Gjon Pali i II 21 vjet më parë, Papa Françesku përzgjedh Shqipërinë si vendin e vizitës së tij të parë në gadishullin e Ballkanit. “Le t’i shprehim ne nderimin tonë më të madh dhe mirënjohjen tonë më të thellë Atit të Shenjtë për vizitën e tij të ardhshme në Shqipëri”, ka përfunduar Berisha./a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit