
Tiranë, 15 qershor 2014, NOA.al- Drejtori i Konfindustria, Gjergj Buxhuklu, nëpërmjet një deklarate për mediat i ka kërkuar Komisioni Ekonomisë së Kuvendit të Shqipërisë dhe gjithë vendimmarrja politike, që të fillojnë marrjen e masave të duhura për tejkalimin e gjendjes shqetësuese në përballjen e sistemit bankar me nevojat e ekonomisë kombëtare.
“Konfindustria mbështet si një hap pozitiv shqyrtimin për herë të parë të gjendjes së
sistemit bankar në mënyrë të përbashkët nga përfaqësuesit e shumicës dhe pakicës në Komisionin e Ekonomisë së Kuvendit të Shqipërisë në mbledhjen e mbajtur para disa ditësh”, shkruhet në njoftim.
Kjo kompani ka ngritur në mënyrë të përsëritur shqetësimin për paaftësinë e dukshme dhe të zgjatur në kohë të sistemit bankar për të mbështetur me likuiditet ekonominë kombëtare.
“Të dhënat tregojnë, që kreditimi i ekonomisë vazhdon gjatë gjithë vitit financiar 2014 të jetë në pikën më të ulët historike. Kushtet e kreditimit në Shqipëri vlerësohen nga më të ashprat në vendet e Rajonit pa përmendur vendet e BE, duke vënë në kushte mjaft të vështira konkurence industrinë shqiptare si dhe duke i shtyrë bizneset t’i drejtohen gjithmonë e më shumë tregut informal/fajdeve për gjetjen e burimeve financiare të domosdoshme për vazhdimin e aktivitetit”, thotë Administratori i Konfindustria, Gjergj Buxhuku.
Sipas tij, në mënyrë paradoksale me rritjen mjaft të ulët të PPB dhe kreditimin në kufijtë e zeros të ekonomisë, sistemi bankar shqiptar ka ruajtur të lartë normën e fitimit duke treguar qartë për problematikën shqetësuese në mënyrën e ndërtimit dhe funksionimit të tij.
Në përfundim evidentohet se vetëm për 3 mujorin e parë të vitit 2014 sistemi bankar shqiptar raporton për 45 milion euro fitim. /a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





