

Prishtinë, 15 qershor 2014, NOA.al- Është vrarë në Rahovec, për motive ende të panjohura, kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Elvis Pista.
Vrasja është raportuar edhe nga Policia e Kosovës. Sipas një komunikate nga policia në Rahovec, thuhet se të dielën rreth orës 00:45 minuta në oborrin e restorantit “Haja Petrol” në rrugën tranzite ka ndodhur një vrasje. “Sipas informatave të para nga vendi i ngjarjes bëhet e ditur se E. P. nga Rahoveci kishte qenë në restorant me disa të njohur dhe posa kishte dalë nga objekti se bashku me bashkëshorten dhe të njohur te tjerë me te cilët kishte qëndruar ne restorant është qëlluar nga mbrapa me armë zjarri në një distancë rreth pesë metra largësi”, thuhet në komunikatë. Bazuar në gëzhojat të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes besohet se arma është e kalibrit të vogël dhe mund të ketë pasur “shurdhues” të zhurmës. Sipas vendit të ngjarjes besohet se i dyshuari kishte zënë pritë pas një muri që ishte i mbuluar me një bime dekorative me gjethe të shpeshta dhe nga ajo pozitë e ka qëlluar viktimën me katër plumba. Pas marrjes së plagëve, viktima është dërguar në Shtëpinë e Shëndetit në Rahavec për ndihmë, mirëpo mjeku ka mundur vetëm të konstatojë vdekjen. Në vendin e ngjarjes për hetimin e rastit kane qenë te pranishëm: drejtori rajonal, shefi i hetimeve rajonale; krim teknika : Njësiti K-9 (qentë nuhatës) dhe prokurori i shtetit. Po ashtu edhe mjekët ligjorë kanë qenë te pranishëm dhe e kanë marre trupin e pajetë për autopsi. Rasti po hetohet nga hetues të krimeve të rënda nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Policia rajonale e Prizrenit ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur atentati në Pistën, që kishte fituar votat për t’u bërë deputet në Kuvendin e Kosovës. Pista ka qenë djali i vetëm i familjes, ka qenë i martuar dhe nuk ka lënë fëmijë.
Ai ka kandiduar për deputet me PDK-në. Ai kishte deklaruar se do të tërhiqej nga politika në rast se PDK-ja nuk i fitonte zgjedhjet dhe nëse Hashim Thaçi nuk bëhej sërish kryeministër, ndërsa qytetin e tij të lindjes, Rahovecin, e quante jo bastion por “shtëpi të PDK-së”.
Thaçi i dërgon telegram ngushëllimi familjes Pista, i siguron se do të zbulohet atentatori
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Pista, me rastin e vrasjes së kandidatit për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elvis Pista.
“Me tronditje e hidhërim të thellë mësova për ndarjen e papritur e të parakohshme nga jeta të njeriut tuaj të shtrenjtë, që njëherazi ka qenë edhe bashkëpunëtor e mik imi, Elvisit. Më lejoni që në emrin tim dhe të Qeverisë së Kosovës t’ju shpreh juve, të afërmve dhe miqve të tij, ngushëllimet më të sinqerta, si dhe solidaritetin dhe mbështetjen tonë më të madhe.
Në këto momente të rënda dëshiroj të ndaj me ju dhimbjen për humbjen e pazëvendësueshme të Elvisit, i cili do të mbetet në kujtesën tonë si një njeri i dashur, energjik dhe korrekt.
Menjëherë pas njoftimit për ngjarjen jam vënë në kontakt me institucionet përgjegjëse. Ju siguroj që shteti është duke marrë të gjitha masat e duhura dhe do të bëj të gjitha përpjekjet e nevojshme që ta zbardhë sa më shpejt ngjarjen dhe të vendos autorët e këtij akti barbar sa më shpejt para përgjegjësisë ligjore, që të marrin dënimin e merituar.
E dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë vepër kriminale të shëmtuar, që ka tronditur mbarë vendin. Dhe, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që kanë dijeni për rrethanat e kësaj ngjarje të rëndë që të bashkëpunojnë pa humbur kohë me policinë dhe prokurorinë, në mënyrë që drejtësia të vihet sa më shpejt në vend", thuhet në telegramin e ngushëllimit.
Policia ofron 10 mijë euro shpërblim për zbardhjen e ngjarjes
Policia e Kosovës ka vendosur shumën prej 10 mijë euro shpërblim. Lidhur me vrasjen e ndodhur pak pas mesnate në qytetin e Rahovecit ku u vra Elvis Pista, është ofruar shuma monetare për shpërblimin e informatorëve.
Mësohet se vrasja ka ndodhur në rrugën e UÇK-se saktësisht te parkingu i restorant "Jaha Petrol" ndërsa viktima me disa të njohur ishte duke dalë nga objekti i këtij restoranti. Bazuar ne hetimet paraprake ndaj viktimës është qëlluar nga mbrapa me armë zjarri në një distancë rreth pesë metra largësi.
Mbështetur në gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes dyshohet se arma është e kalibrit të vogël dhe mund të ketë pasur “shurdhues” të zhurmës. Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri sado të vogël rreth rastit ta ndihmojë policinë me informacione për gjetjen e autorit të vrasjes.
Policia e Kosovës ofron një shpërblim prej 10 mijë euro për cilindo qytetar i cili mund të japë informacion të cilat çojnë në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti.
Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund ato t’i dërgojnë në këto numra telefoni dhe e-mail adrese: Tel:- 080019999 -038550999 -192
e-mail: [email protected].
Thirrjet në këta numra të telefonit janë pa pagesë për të gjithë qytetarët. Qytetarët mund të ruajnë të drejtën e anonimitetit të informacionit në këta numra telefoni dhe në këtë e-mail adresë, përveçse nëse ata vetë vullnetarisht deklarohen se duan të prezantohen
Haradinaj kërkon kapjen e autorëve të vrasjes së Pistës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se me keqardhje të thellë mori lajmin për atentatin që i mori jetën kandidatit për deputet nga radhët e PDK-së në Rahovec, Elvis Pista.
Kryetari Haradinaj, në emrin e tij personal, të kolegëve dhe anëtarësisë së gjerë të Aleancës, në këto momente të rënda pikëllimi i ka përcjellë ngushëllimet më të thella familjes Pista, qytetarëve të Rahovecit, kolegëve e bashkëveprimtarëve të Elvisit, Partisë Demokratike të Kosovës dhe të gjithë të pikëlluarve të tjerë.
Njëkohësisht, Haradinaj ka ftuar organet e rendit dhe të drejtësisë që të jenë profesionale, t’i zbulojnë dhe t’ua japin dënimin e merituar autorëve të këtij krimi të shëmtuar dhe të ulët që mori jetën e Elvis Pistës.
Lidhur me rastin në fjalë kanë dërguar telegrame ngushëllimi familjes Pista edhe shumë liderë të partive politike dhe personalitete të jetës publike në Kosovës./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





