
Selanik, 15 qershor 2014, NOA.al- Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, zhvilloi sot një takim me emigrantët shqiptarë në Selanik, me të cilët diskutoi mbi problemet e komunitetit shqiptar në Greqi, si dhe reformat që po ndërmerr qeveria shqiptare.
Veliaj theksoi se shumë çështje shqetësuese për emigrantët shqiptarë në Greqi kanë marrë zgjidhje, siç ishte rasti i toponimeve, por ka ende shumë për të bërë.
“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se jemi qeveri e të gjithë shqiptarëve, jo vetëm e atyre që jetojnë në Shqipëri, por edhe e atyre që jetojnë në emigracion. Po fillojmë përgatitjet për votën e emigrantëve, por njëkohësisht na duhet të funksionojmë edhe si një agjenci për promovimin e Shqipërisë, sidomos për çështjet e ekonomisë dhe bizneseve që mund të zhvendosen në Shqipëri”, deklaroi ministri Veliaj.
Ai u shpreh se emigrantët shqiptarë në Selanik janë një komunitet i cili ka investuar shumë në çështjet e arsimit, të kulturës, si dhe në problemet sociale. Por, nga ana tjetër kujtoi se Shqipëria sot është vendi më tërheqës për të investuar në Ballkan, ndaj duhet ta promovojmë sa më shumë.
“Sot Shqipëria ka taksat më të ulëta në rajon, një biznes mund të regjistrohet për 24 orë, si dhe ka një politikë shumë miqësore ndaj biznesit. Ndaj gjykoj se në kushtet ku gjendet Shqipëria, diaspora jonë mund të jetë një agjent i madh e i fuqishëm marketingu për investimet në Shqipëri”, tha Veliaj.
Në takimin me emigratët shqiptarë, ai diskutoi edhe çështjen e transferimit të pensioneve, ku theksoi se sapo janë mbyllur negociatat me Kanadanë dhe janë në negocime e sipër marrëveshjet me shtete të tjera. Në vijim, Veliaj nënvizoi se po fillojnë negociatat me Italinë, ndërsa do të bëhen përpjekje të ngjashme edhe për emigrantët në Greqi./a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





