
Sarandë, 14 qershor 2014, NOA.al- Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni dhe zv/ministri Gjon Radovani zhvilluan një inspektim dyditor (13-14 Qershor) në Sarandë, Ksamil, Nivicë (komuna Lukovë), Jalë dhe Dhërmi për të parë nga afër gjendjen e plazheve, infrastrukturës dhe shërbimeve të tjera që u ofrohen turistëve, si dhe realizimin e projektit të Bankës Botërore ICZMCP (Projekti I Pastrimit dhe Menaxhimit të Zonave te Integruara Bregdetare) në Ksamil dhe Nivicë (komuna Lukovë)
Ministrja Gjermeni inspektoi Portin e Sarandës, ku u shpreh : “Ne duam të garantojmë pastërti, shërbime publike cilësore dhe më shumë plazhe publike për turistët në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave”.
Gjermeni i caktoi si detyrë Bashkisë së Sarandës, mirëmbajtjen e plazheve publike dhe vendosjen e shërbimeve publike, ndërsa drejtori i Portit të Sarandës deklaroi se numri i turistëve në këtë qytet pritet të rritet në 100.000 në 2014, krahasuar me 56000 që ishte në vitin 2013.
Më 13 qershor, ministrja Gjermeni zhvilloi një takim me të ngarkuarin me punë të Ambasadës Suedeze në Tiranë, Patrick Svensson, përfaqësues të operatorëve turistike “Apollo” dhe turistë suedezë që po qëndrojnë në Sarandë. Këtë sezon veror nga Suedia parashikohet të qëndrojnë në Sarandë 1000 turistë suedezë, të cilët vijnë me avionë çarter në Korfuz dhe më pas udhëtojnë me anije drejt Shqipërisë.
Gjatë inspektimit në terren në Ksamil, ditën e sotme bëhet e ditur se u konstatua që deri tani ishin lidhur 13 kontrata qeraje nga 45 subjekte private të cilët kanë në përdorim stacionet e plazhit.
Inspektimi vazhdoi gjatë ditës së shtunë, 14 Qershor, në Nivicë, Himarë, Jalë dhe Dhërmi./a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





