
Spanja, me yllin e kampiones së botës në fanellë, ka pësuar një disfatë mjaft të rëndë, që do të mbetet në anën më të errët të historisë.
Megjithatë trajneri Vicente Del Bosque, pas këtij debutimi horror, u përpoq të qëndrojë i qetë, duke inkurajuar lojtarët dhe pa drejtuar gishtin tek askush.
“Humbja duhet pranuar. Jo për justifikim, por në aksionin e David Silvas mund të kishte ardhur goli i dytë. Holandezët ishin më mirë se ne dhe duhen përgëzuar. Gjithsesi ne luftuam, të gjithë pa përjashtim”.
Duket si një skenar i përsëritur për La Roja. Edhe në Afrikën e Jugut, rrugëtimi për spanjollët nisi me pengesë, por në fund ishin ata që u ngjitën në shkallën më të lartë të futbollit botëror.
“Eshtë një moment delikat dhe do të përpiqemi t’i japim zgjidhje duke fituar në vazhdim. Revolucion nuk mund të ketë sepse po flasim për sport, por dimë të humbasim, ashtu siç dimë të fitojmë.
Disfata nuk vjen nga një lojtar i vetëm, por nga loja e skuadrës në tërësi, prandaj nuk mund t’ia drejtojmë gishtin askujt”.
2 gola në Europianin 2012 dhe 3 në fazën eliminatore, ndërsa tani 5 gola, Spanja i ka pësuar në një takim të vetëm.
“Eshtë e pashpjegueshme, nuk gjej dot fjalë. Tani duhet të shikojmë përpara me të gjithë forcën për të kaluar provën tjetër”.
I ndjerë në faj për këtë humbje të thellë që komplikon daljen e Spanjës nga grupi, Casillas pranoi se nuk ishte në formën më të mirë dhe të gjithë duke filluar nga ai i pari, duhet t’u kërkojnë falje tifozëve.
Duke përgëzuar Holandën për lojën fenomenale, gardiani i La Seleccion tha se ndeshja e radhës me Kilin duhet përgatitur si finale.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





