Transmetuar më 13-06-2014, 21:50

Shumë diskutime e polemika, se ishte apo jo penallti, dhe sikur mos të ishte, a thua vërtetë do të fitonte Brazili.

Shumë zhurmë për penalltinë e referuar nga gjyqtari Yuichi Nishimura, por asgjë nuk kthehet pas, dhe Kroacia pësoi humbje me rezultatin 3:1 nga Brazili.

Legjenda e futbollit argjentinas, Diego Armando Maradona, thotë se gjërat do të ishin më ndryshe sikur kroatët të ishin më agresivë pas golit të shënuar, por edhe mos të ishte penalltia, dhe ndoshta edhe mund të dilte fitues Kroacia.

“Brazili mund të kishte humbur takimin. Ata do të kishin vuajtur shumë nëse Kroacia do të tregohej më shumë agresive që në fillim të ndeshjes, por ata u kënaqën me golin e shënuar dhe pikërisht këtu nisi rritja e lojës së Brazilit”, tha Maradona, duke folur edhe për sulmuesin brazilian Neymar.

“3:1, reflekton rezultatin në tabelë, por jo atë që pamë në fushë. Brazili luajti mirë, megjithëse kishte probleme në krah dhe për më tepër ka një varësi ndaj Nejmarit, në mungesë të të cilit mund të mposhtet lehtë”.

Maradona ia tërheq vërejtjen kombëtares së Argjentinës, se duhet të jetë e kujdesshme ndaj Bosnjës e cila luan ngjashëm si Kroacia.

Argjentinë-Bosnje do të zhvillohet të dielën në orën 24.00. “Bosnja do të luajë të njëjtin stil loje si Kroacia dhe ka një mesfushë ende më cilësore se kroatët”, tha Maradona.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit