Transmetuar më 13-06-2014, 17:38

Aleanca për Kosovën e Re (AKR) kërkoi sot zyrtarisht që KQZ të marrë vendim për rinumërim të të gjitha fletëvotimeve në tërë territorin e Kosovës.

Kryetari i AKR, Behxhet Pacolli, ka deklaruar sot se kjo parti “është duke përcjellë me vëmendje proçesimin e rezultateve zgjedhore të dala nga zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 8 qershor, të cilat për fat të keq, po rezultojnë me keqpërdorime dhe me probleme që po e përcjellin proçesin e numërimit të fletëvotimeve”.

Aleanca Kosova e Re thotë se përmes anëtarëve të vet në KVV, disponon fakte të cilat flasin për parregullsi gjatë numërimit dhe bartjes së rezultateve në formularin e përputhjes se të dhënave dhe rezultateve, nga të cilat shihet se votat e AKR-së, me apo pa qëllim, u janë bartur subjekteve të tjera politike.

“Këto parregullsi, dëshmohen me formularin e rezultatit të kandidatëve ku në të njëjtën vendvotim, kandidatët kane vota ndërsa subjekti politik AKR-ja nuk ka as edhe një votë të vetme”, thuhet në deklaratën zyrtare. Shtohet se, deri më tani AKR ka të identifikuar disa prej rasteve të tilla, të cilat seriozisht e dëmtojnë AKR-në, dhe njëkohësisht abuzojnë me vullnetin politik të votuesit. Komisionerët kanë dokumentuar se ka edhe raste kur votat e AKR i janë bartur një subjekti tjetër politik, kandidatët e të cilëve nuk kanë asnjë vote”, deklaron AKR.

Kjo parti shprehet se është e shqetësuar edhe për raste dhe mënyra të tjera kur vullneti i qytetarëve është keqpërdor siç janë dëmtimet e qëllimshme të votës së përcaktuar për AKR-në.

“Për këtë arsye Aleanca Kosova e Re, kërkon nga Komisioni Qendror Zgjedhor, që të marrë vendim për rinumërim të plotë të të gjitha fletëvotimeve në tërë territorin e Kosovës, me çka do të dëshmohet se vullneti i qytetarëve do të respektohet në tërësi”, theksohet në deklaratë.

Sipas rezultateve në këto momente në faqen zyrtare të KQZ-së, që pasqyrojnë 99,83% të vendvotimeve nga të cilat janë dërguar të dhënat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të ditës së djeshme, 8 qershorit, AKR ka 4,66%, ndërsa për t’u bërë pjesë e Parlamentit pragu është 5%.

Behgjet Pacolli u akuzua se solli vota nga Kazakistani, si reagoi

“Është fyese dhe e pamoralshme kur shoh nëpër medie, se spekulohet me votat nga punëtorët e Mabetexit në Kazakistan. Ky spekulim mediatik që ka nisur vetëm dje të prodhohet në kuzhina të caktuara është mjerim mendor i dikujt që është i obsesionuar nga AKR. Unë personalisht, nga familja ime dhe askush nga drejtorët e Mabetexit nuk kemi përmendur vota të punëtorëve të MABETEX që punojnë në Kazakistan apo kudo në botë. Njerëzit që punojnë në kompanitë e mija, nuk janë kushtëzuar asnjëherë që të votojnë për ndonjë parti politike. Punëtorët në mënyrë dinjitoze janë duke punuar dhe nuk kanë qenë, dhe nuk do të jenë të obliguar që të votojnë jashtë vullnetit të tyre. Kjo është arsyeja pse as di se çfarë kanë bërë ata, a kanë votuar, a nuk kanë votuar. Është paradoks që përsëritet kur dëshmitë e ndershmërisë sime si kjo e mospërdorimit të votës së punonjësve, të tentohet të përkthehet në të kundërtën e vet. AKR respekton çdo votë të qytetarit të Kosovës. Deri më sot nuk janë numëruar ende të gjithë votat dhe ne inkurajojmë institucionet gjegjëse ta përkryejnë deri në fund këtë numërim që është parakusht për proceset e tjera. AKR bën thirrje tek të gjithë spektri politik, që të presin me qetësi numërimin e çdo vote të qytetarëve të Kosovës”. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit