Transmetuar më 13-06-2014, 16:41

Louis van Gaal e bën të qartë: Holanda nuk ka shkuar për turizëm në Brazil. Kombëtarja portokalli e nis fushatën e Botërorit sonte në mbrëmje me ndeshjen kundër Spanjës, një sfidë që sjell kujtime të hidhura pas asaj disfate 4 vjet më parë në finalen e Johanesburg, por Van Gaal ka gati kurën që do të shërojë skuadrën e tij nga plagët e së shkuarës.

“Duhet ta shijojmë këtë eksperiencë, por duhet të jemi gjithashtu edhe seriozë e profesionistë. Tensionin duhet ta shkarkojmë sepse nuk është asnjëherë pozitiv. Duhet të qëndrojmë 5 javë këtu dhe të mos gabojmë”.

Gjithsesi, trajneri i ardhshëm i Manchester United e pranon se jo çdo gjë e ka në dorë skuadra, pasi në rrugëtimin e një skuadre kanë dorë edhe vendimet e arbitrave.

“Ndonjëherë ndiej përzierje në stomak, sepse edhe nëse zhvillon një turne të shkëlqyer jo gjithçka është në dorën tënde. E pamë shumë mirë çfarë ndodhi në ndeshjen Brazil-Kroaci”.

Në vijim, Van Gaal përqëndrohet te kundërshtari i radhës.

“Futbolli spanjoll është ndoshta më moderni dhe efikasi në planet. Ata janë shumë teknikë por edhe fizikë. Spanja mban vendin e parë në renditjen e FIFA-s, prandaj duhet të jemi të bashkuar gjatë gjithë ndeshjes”.

Në fund edhe një koment në lidhje me aventurën që e pret në Manchester dhe zërat që mbështesin idenë se kontrata e re e ka shpërqëndruar nga puna me “Tulipanët”.

“Shpërqëndrim? Mund të jetë kështu, por ndoshta Manchester United ka ndikuar që ky të jetë një shpërqëndrim në aspektin pozitiv”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit