


Prishtinë 13 qershor 2014 NOA.al – Policia e Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës si dhe në bashkëpunim me Policinë e Shqipërisë dhe Prokurorinë për Krime të Rënda e Republikës së Shqipërisë mbështetur në informacionet e siguruara nga rrugët operativo-hetimore, kanë realizuar një operacion kundër një grupi të organizuar të trafikimit me narkotikë.
Në vazhdën e hetimeve të përbashkëta janë shkëmbyer informacione si dhe janë realizuar takime pune në mes të Prokurorisë Speciale dhe zyrtarëve të DHTN-së (Policia e Kosovës) për t’i harmonizuar veprimet në teren, dhe menjëherë është vendosur kontakti i drejtpërdrejtë në mes të hetuesve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë.
Në kuadër të hetimeve janë bërë kërkesat për masa të fshehta hetimore dhe janë pranuar urdhëresat përkatëse nga gjyqtari i procedurës paraprake të cilat kanë filluar të implementohet në funksion të hetimeve.
Operacioni ka vazhduar gjithnjë në koordinim në mes të Prokurorisë Speciale dhe hetuesve të Policisë së Kosovës me Prokurorinë dhe hetuesit e Shqipërisë.
Si rezultat i hetimeve dje më 12.06.2014 rreth orës 07:00 në pikën kufitare ( Kosovë Shqipëri) në Vermicë, nga Policia e shtetit të Shqipërisë (në pjesën e Republikës së Shqipërisë), është ndaluar një person i dyshuar i cili nga Shqipëria transportonte shtatë (7) kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.
Si pjesë e operacionit policor hetuesit e Policisë së Kosovës kanë reaguar dhe kanë bastisur një shtëpi në rajonin e Pejës.
Gjate bastisjes së shtëpisë është gjetur një lokacion i improvizuar si laborator në të cilin janë gjetur pajisje që shërbejnë për matje, përzierje dhe paketim të substancës narkotike.
Në këtë lokacion në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar: 18.2 kg kokainë, 6 kg prekursorë, 8 litra acid klorhidrik, 246 litra aceton, 7 litra hidro-kiselinë. Po ashtu, pajisje laboratorike: (mikserë, sita, korita, ventilatorë, llampa, dorëza, peshore etj.), si dhe 2 vetura, një armë Skorpion, një pistoletë, 2 karikatorë me 18 fishekë 7.65 mm, 1200 euro, 7040 lekë shqiptare, 65 franga zvicerane, telefona celularë dhe prova të tjera.
Si të dyshuar për veprimtari kriminale të krimit të organizuar dhe trafikim me supstanca narkotike janë arrestuar shtetasja amerikane, shqiptare e Kosovës, V. T., 50 vjeçe, si dhe dy shqiptarë të Kosovës, përkatësisht 42 dhe 33 vjeç.
Si pjesë e këtij operacioni është realizuar edhe një bastisje në Ferizaj ku është arrestuar dhe A.Z 33 vjeç, shqiptar i Kosovës, i cili dyshohet se është pjesë e këtij grupi kriminal.
Po ashtu në Shqipëri në kuadër të këtij operacioni si rezultat i hetimit të përbashkët dhe shkëmbimit të informacioneve janë arrestuar dy persona dhe janë konfiskuar:
207 kg. e 360 gr. kanabis sativa
22 kg. e 323 gr. heroinë
2.8 gr. kokainë
22 bidona nga 25 litra me aceton
6 armë zjarri
929 fishekë
143 000 euro
3 automjete
25 telefona celular
Dhe prova të tjera relavante për rastin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





