Transmetuar më 13-06-2014, 13:30

Sulmuesi i Brazilit, Nejmar Junior, është shprehur shumë i lumtur me paraqitjen e tij në ndeshjen e parë të kësaj Kupe Bote.

Përtej diskutimeve rreth gjykimit, paraqitja e yllit të Barcelonës, me dy gola të shënuar në fitoren 3-1, është nga ato që mbahen mend gjithë jetën, teksa ai udhëhoqi të tijtë në përmbysjen ndaj Kroacisë.

“Ndeshja e parë në një Kupë Bote dhe dy gola të shënuar. E ku ka më mirë se kaq. Jam vërtet i lumtur.

Ndeshja e parë e një veprimtarie të madhe është gjithnjë e vështirë. Ka shumë presion përqark. Është e vërtetë që kam bërë mirë në stërvitje dhe në miqësore, por në një veprimtari si kjo, gjërat ndryshojnë.

Të shënoja dy gola dhe t’i jepja fitoren ekipit tonë ishte më shumë nga sa kisha ëndërruar. Por është e gjithë skuadra që duhet të përgëzohet për reagimin. E gjithë bota i njeh cilësitë tona individuale.

Kur luajmë kolektivisht, si një ekip i vërtetë, është shumë e vështirë të na ndalosh. Është kjo ajo që bëmë dhe për këtë arsye e kthyem ndeshjen.

Kjo mënyrë reagimi, ishte diçka me të vërtetë pozitive.”

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit