
Qyteti i Pogradecit përgatitet për një nga eventet më madhore të garave në ajër, citon Supersport.
Aeroclub Albania dhe Bashkia e qytetit juglindor, organizojnë për herë të parë në historinë e vendit tonë, një prej 3 etapave të kampionatit botëror të disiplinës akrobatike të parashutizmit.
Rreth 40 garues nga e gjithë bota do të mblidhen në qytetin liqenor për të garuar, por mbi të gjitha për të promovuar vlerat turistike të këtij qyteti, që ashtu si çdo vit hap dyert për një numër të madh turistësh vendas dhe të huaj.
Ky eveniment starton të premten në datën 13 qershor dhe do të mbyllet të dielën në mbrëmje, në një ceremoni të veçantë ku do të ndahen edhe çmimet për pjesëmarrësit.
Garat e disiplinës akrobatike, cilësohen edhe si më të vështirat e disiplinave të ndryshme të parashutizmit, dhe kjo është hera e parë që gjurma e kampionatit botëror parashikon një etapë edhe në vendin tonë.
Sipas organizatorëve, juria përbëhet nga përfaqësues të huaj, ndërsa fluturimi do të kryhet në një zonë të plazhit me përmasa 400 me 40 metra.
Në dispozicion të garuesve do të jenë gjithashtu edhe dy mjete rimorkimi të drejtuara nga ekipe profesioniste.
Tradita e organizimit të një eventi të tillë në qytetin e Pogradecit mori jetë vitin e shkuar në përmasa më të vogla, ku çdo detaj i organizimit shkoi sipas parashikimeve, çka ndikoi edhe në vendimin e federatës ndërkombëtare për të ndezur dritën jeshile të organizimit të këtij eventi.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





