Transmetuar më 12-06-2014, 16:12

Si çdo yll që kërkon t’i japë rëndësi prezencës, edhe Cristiano Ronaldo me Portugalinë e tij mbërriti me vonesë në Brazil.

Kampioni i Realit dhe skuadra luzitane fluturuan drejt vendgrumbullimit të tyre në Campinas, një qytet rreth 100 kilometra në veri të Sao Paolos pasi kishin fituar 5-1 miqësoren ndaj Irlandës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fitorja shënoi dhe rikthimin e Ronaldos në fushë, pas problemeve fizike të javëve të fundit.

Ronaldo u shfaq me aksesorin e tij të pandashëm në këto ditët e fundit, kapelen e vendosur mbrapsht ndoshta e zgjedhur për fat.

Ronaldo ashtu si dhe rivali i tij i madh Lionel Messi zgjoi menjëherë interesimin e jashtëzakonshëm të brazilianëve, punëtorët e aeroportit lanë mënjanë impenjimet për të parë nga afër yllin Portugez.

Pas një pritjeje të shkurtër në aeroport, Ronaldo do të përballej me një tjetër surprizë të këndshme, ndërsa autobusi që transportonte skuadrën i afrohej kompleksit ku do akomodohet Portugalia.

Me qindra tifozë nisën një maratonë të vërtetë duke shoqëruar automjetin ku ndodhej përfaqësuesja portugeze, me shpresën që të merrnin një autograf nga ylli portugez duke risjellë në memorie, skenat që ju rezervuan Muhamed Ali në Kinsasha para duelit të shekullit me George Foreman.

Edhe tani luhet për një titull botëror, por ndryshe nga ajo e duelit legjendar, ajo e Ronaldos nuk është një betejë tek për tek me Lionel Messin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit