Transmetuar më 11-06-2014, 18:18

Trajneri i Zvicrës, Otmar Hitzfield mendon se përfaqësueset europiane do ta kenë shumë të vështirë të triumfojnë në Kupën e Botës, Brazil 2014.

Kompeticioni më madhështor në nivel kombëtaresh zhvillohet për herë të pestë në një vend të Amerikës së Jugut, dhe në katër rastet e mëparshme nuk është fituar asnjëherë nga një skuadër evropiane.

Jane këto statistika që e shtynë Hitzfield, të mendojë se edhe në Brazil nuk do të fitojë një përfaqësuese e kontinentit të vjetër.

“Do të jetë shumë e vështirë për përfaqësueset europiane të triumfojnë në këtë Botëror.

Skuadrat nga europa nuk kanë arritur të fitojnë Kupën e Botës në asnjë rast kur kompeticioni është zhvilluar në Amerikën e Jugut, madje as në Meksikë dhe në Shtetet e Bashkuara, kështu që unë mendoj se edhe në Brazil nuk do të triumfojë një ekip europian”.

Me Brazilin që pret një Kupë Bote që prej vitit të largët 1950, presioni ndaj Selecaos për t’u shpallur kampion është shumë i madh.

Por pavarësisht kësaj, Hitzfield ka besim se skuadra e drejtuar nga Luis Felipe Scolari do t’i përmbushë të gjitha pritshmëritë.

“Në futboll presioni është gjithmonë shumë i madh. Kur një skuadër luan në shtëpinë e saj pritshmëritë janë gjithmonë maksimale sidomos kur bëhet fjalë për Brazilin.

Ata zhvilluan një Kupë Konfederatash shumë të mirë dhe unë besoj se të njëjtën gjë do të bëjnë edhe në Botëror”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit