
Paris, 11 qershor 2014, NOA.al- Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Francë, është pritur në takim nga Presidenti i vendit François Hollande.
Presidenti Hollande i shprehu Kryeministrit Rama mbështetjen e Francës për integrimin europian të Shqipërisë. Gjithashtu, gjatë takimit, Presidenti francez deklaroi se Shqipëria shihet si vend stabiliteti në rajonin e Ballkanit.
Në takim u bisedua edhe për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, ku Presidenti Hollande vlerësoi rritjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe kulturës, por edhe bashkëpunimin ushtarak e policor.
Nga ana e tij Kryeministri Rama e falenderoi Presidentin François Hollande për mbështetjen e vazhdueshme të Franca i ka dhënë Shqipërisë.
Ftesën e Kryeministrit Rama për të vizituar Tiranën, Presidenti Hollande e vlerësoi si një vizitë që mund të bëhet realitet në një kohë të afërt.
Në këtë takim merrnin pjesë dhe Ministri i Jashtëm francez Laurent Fabius dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati.
Duke folur pas takimit me Presidentin Hollande, Rama tha se, “Takimi me Presidentin i kaloi pritshmëritë tona. Ishte një takim shumë i hapur, shumë miqësor, shumë i drejtpërdrejtë. Patëm mundësinë të shtjellojmë në gjithë përmasat e veta domosdoshmërinë që ka sot Shqipëria dhe Ballkani për t’u integruar në Bashkimin Europian. Por, edhe domosdoshmërinë që ka Bashkimi Europian për të kuptuar se sa të nevojshëm e ka Shqipërinë dhe Ballkanin. Nga ana tjetër, sigurisht biseda u shtri dhe në dimensionin e bashkëpunimit ekonomik, një bashkëpunim që do të intensifikohet. Ashtu siç do të intensifikohen bashkëpunimet kulturore apo ato në nivelin e ekspertizës për të mbështetur vazhdimësinë e procesit të integrimit”.
Lidhur me pjesën tjetër e vizitës ai tha se është takuar me sipërmarrjet franceze, duke informuar se ka qenë i pranishëm në organizatën më të madhe të sipërmarrësve francezë, ku pati mundësinë të flasë dhe të dëgjojë, duke dhënë vizionin dhe disa nga tiparet kryesore të modelit të ri ekonomik që po ndërtohet në Shqipëri, dhe të merren shprehje të ndryshme interesi nga investitorët francezë për të ardhur dhe për të investuar në Shqipëri.
“Unë jam optimist dhe e konsideroj këtë vizitë, një vizitë përtej pritshmërive”, tha Rama në mbyllje të fjalës së tij.
Në një postim në profilin e tij në Twitter duke komentuar takimin, Kryeministri shkruan, “Një takim përtej pritshmërive dhe kënaqësi që njësoj si Kancelarja Merkel dhe Presidenti Hollande do vijë në Shqipëri”.
Më tej ai është pritur nga Presidenti i Senatit, të cilët i ka përcjellë falenderimet e kryeparlamentarit Meta për mbështetjen e tij për statusin.
Kryeministri Rama ndodhet në një vizitë zyrtare në Francë, vizitë e cila vjen vetëm pak ditë para marrjes së vendimit për dhënien e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë po lobon me synim marrjen e statusit, që sipas tij Shqipëria e meriton plotësisht./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





