
Paris, 11 qershor 2014, NOA.al- Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Francë, gjatë një bashkëbisedimi të zhvilluar në Institutin francez për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, foli për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.
Ai tha se për Shqipërinë, Bashkimi Europian është rruga europiane për të transformuar Shqipërinë.
“Qeveria shqiptare, e zgjedhur nga një votë plebishitare në 23 qershor 2013 ka një qasje tërësisht të ndryshme në raport me integrimin në BE. Për ne, Europa nuk është jashtë nesh, ajo përbën një destinacion të pashmangshëm në gjirin e shoqërisë sonë, një lëvizje të brendshme. Ne vlerësojmë se Europa është demokracia e përditshme, në çdo cep të vendit dhe me këtë rast më kujtohet shprehja e Michel Rocard, “Demokracia e çdo dite”. Duke afirmuar këtë ide, nuk kërkoj të bëj një propozim apo premtim demagogjik, por i referohem vullnetit për të transformuar, për të modernizuar dhe demokratizuar shoqërinë shqiptare. Shqipëria është një kandidate potenciale, pasi vjen nga marrja e një “Po”-je unanime nga Komisioni Europian dhe shpresoj se do të mund të marrim statusin e vendit kandidat në 23 qershor”, u shpreh Rama.
Kryeministri i cili shoqërohet nga Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, deklaroi se e ardhmja e Shqipërisë dhe e rajonit është Bashkimi Europian dhe se Shqipëria, pas vlerësimit të qartë nga KE të progresit të saj, pret dhe beson se e meriton statusin e vendit kandidat, i cili, për qeverinë shqiptare shihet thjesht si rritje e përgjegjësisë, për të vazhduar modernizimin e vendit.
Kreu i qeverisë uroi marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin qershor, duke shtuar se do të dëshironte që të reduktohet kohëzgjatja nga integrimi për në anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Gjithsesi ai tha se me këtë nuk pret që të lehtësohet puna për reformat modernizuese dhe strukturore të Shqipërisë.
Kryeministri u shpreh shumë i inkurajuar nga angazhimi i Kancelares gjermane Angela Merkel dhe i Presidentit të Francës Francois Hollande për bashkëpunimin me Ballkanin. Duke nënvizuar se shqiptarët janë të vendosur për të realizuar aspiratën e tyre europiane, Kryeministri Rama u shpreh se ka qenë pikërisht kjo aspiratë që ka sjellë paqen në Ballkan dhe që është aspirata e brezave të rinj.
“Jam i bindur që vendi im ka nevojë për Bashkimin Europian, ekzaktësisht dhe pa e ekzagjeruar, siç edhe Bashkimi Europian ka nevojë për vendin tim. Kjo vlen për të gjithë vendet ballkanike, që kanë nevojë për Bashkimin Europian, siç edhe BE ka nevojë për Ballkanin”, tha Rama ndër të tjera./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





