Transmetuar më 10-06-2014, 15:51

Londër, 10 qershor 2014, NOA.al- Ministrja e Integrimit Europian Klajda Gjosha në kuandër të vizitës së saj në Mbretërinë e Bashkuar, u prit në takim nga Ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane, David Lidington.

Gjatë takimit me Lidington, Gjosha e informoi mbi masat e marra nga qeveria shqiptare sidomos në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe reformën në drejtësi.

“Vendimi pozitiv i Këshillit të Ministrave të BE-së, do të  ishte një sinjal i rëndësishëm motivues për Shqipërinë, për të ecur përpara në rrugën e saj drejt BE-së, duke  ndikuar në krijimin e një klime me pozitive për vendin”, u shpreh ministrja.

Nga ana e tij Lidington u shpreh se Anglia mbështet politikën e zgjerimit në BE, dhe aspiratën e Shqipërisë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, por kjo duhet të jetë e bazuar në arritje konkrete dhe në bazë të meritave.

Në vijim të vizitës së saj në Britani, ministrja Gjosha u prit në takim nga Ministri i Shtetit për Çështjet e Drejtësisë dhe të Drejtave Civile, Simon Hughes.

Në takimin me Hughes, Gjosha tha se, “Bashkëpunimi me komisionin e Venecias ka qenë mjaft i rëndësishëm për mbarëvajtjen e reformës në drejtësi të cilën ne jemi të vendosur ta zbatojmë në të gjitha hallkat e saj. Është një reformë  të cilën qeveria shqiptare e sheh si të domosdoshme për konsolidimin e  demokracisë në vend”.

Ministrja deklaroi se qeveria shqiptare shpreson të thellohet më tej bashkëpunimi me Mbretërinë Bashkuar duke përmendur marrëveshjen për transferimin e të burgosurve dhe ndihmën e dhënë nga Anglia me anë të misionit Pameca 3.

Hughes vlerësoi vizitën dhe angazhimin e qeverisë për të çuar përpara reformat, duke shtuar se bashkëpunimi në nivel dypalësh duhet të shtohet./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit