Transmetuar më 09-06-2014, 22:52

Trajneri i Spanjës, Vicente Del Bosque e konsideron Portugalinë një nga skuadrat kandidate për të fituar Kupën e Botës, pavarësisht se këta të fundit nuk kanë arritur të triumfojnë asnjëherë në kompeticionin më të rëndësishëm në nivel kombëtaresh.

“Unë mendoj se Portugalia është një kandidate serioze për të fituar Botërorin. Ata drejtohen nga një trajner i shkëlqyer si Paulo Bento, ndërkohë që kanë në ekip një nga lojtarët më të mirë në qarkullim, i referohem pikërisht Cristiano Ronaldos”.

Më tej, Del Bosque deklaroi se për të mirën e futbollit ai shpreson shumë që Cristiano Ronaldo të jetë rikuperuar plotësisht për startin e Botërorit.

La Roja shkon në këtë Botëror si kampionia në fuqi, megjithatë numri 1 i stolit të iberikëve e di shumë mirë se për të mbrojtur titullin në Brazil, Spanja do ta ketë shumë të vështirë.

“Mbrojta e titullit do të ishte diçka e mrekullueshme, megjithatë ky objektiv do të jetë shumë i vështirë për ne, pasi në Botëror marrin pjesë shumë skuadra të forta.

Mendoj se Brazili, Argjentina, Portugalia, Kili, Gjermania, por edhe Belgjika kanë shanse të mira për të fituar Kupën e Botës”.

Spanja është shortuar në grupin B me kombëtare të tilla si Kili, Holanda dhe Australia. La Roja do ta nisë kompeticionin me ndeshjen ndaj skuadrës së drejtuar nga Louis Van Gaal në datën 13 qershor.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit