
Tashmë është zyrtare. Clarence Seedorf nuk është më trajner i Milanit. Klubi kuqezi ka njoftuar shkarkimin e holandezit, citon Supersport.
Vendin e tij e merr Filippo Inzaghi, kontrata e të cilit do të jetë 2-vjeçare deri më 30 qershor të 2016.
Në fakt gjithçka ishte vendosur kohë më parë, por mungonte lamtumira zyrtare e teknikut holandez dhe emërimi në vend të tij i trajnerit të të rinjve kuqezi.
Tratativat për prishjen me konsensus të marrëveshjes nuk u mbyllën me sukses, ndaj klubi kuqezi pa si rrugën e vetme shkarkimin e Seedorf.
Inzaghi tashmë ka nisur punën për të ndërtuar një grup të fortë për sezonin e ardhshëm. 40-vjeçari ka patur disa takime kokë më kokë me presidentin Berlusconi dhe administratorin e deleguar Adriano Galliani, me të cilët ka diskutuar për merkaton.
Pikërisht pak ditë më parë, Milani bëri dy goditje të rëndësishme në merkato, duke afruar sulmuesin Jeremy Menez dhe mbrojtësin Alexs nga Paris Saint Germain me parametër zero.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





