Transmetuar më 09-06-2014, 13:45

Më të mirët e botës në kompeticionin më të madh të planetit, por cila është kombëtarja që vlen më shumë në turneun e Brazilit.

Prestigjiozja Time ka bërë një përpunim të dhënash dhe rezultati del me nje shifër vërtet astronomike, citon Supersport.

Janë lojtarët spanjollë që me vlerën e tyre e bëjnë përfaqësuesen La Roja të kapë shifrën e 668 milionë Eurove, dhe në merkato zë gati 10% të vlerës totale nga 32 ekipet që do të luajnë në Botërorin e Brazilit.

Krahasimi mund të jetë paksa brutal, por ky është realiteti që ofron revista amerikane. Eshtë përfaqësuesja e Hondurasit modeste, që vlen më pak në këtë edicion të 20-të të Botërorit dhe nuk e kalon shifrën e 22 milionë Eurove.

Pas Spanjës kampione në fuqi të botës renditen pa ndonjë surprizë ekipet e tjera kombëtare, që konsiderohen favorite.

Kështu të grumbulluarit e Joachim Low, nëse do të nxirreshin në këto momente në merkato, të gjithë bashkë do të vlenin 604 milionë Euro, ndërsa brazilianët kushtojnë gati 100 milionë më pak.

Kombëtarja franceze pason listën me futbollistët e saj që kanë një vlerë prej 443 milionë Eurosh, ndërsa Argjentina vlen 421 milionë, por këtu peshën më të madhe e ka Messi, pasi vetëm kartoni i tij llogaritet në rreth 130 milionë Euro.

Në aspektin individual, pas argjentinasit është ylli i Realit të Madridit, Cristiano Ronaldo i dyti, që vlerësohet 107 milionë Euro dhe zë gati 1/3 e gjithë vlerës në kombëtaren portugeze.

Tek kampionët spanjollë, të cilët mbërritën në orët e para të mëngjesit të së hënës në Brazil, janë Iniesta, Fabregas, Busquets, Ramos e Juan Mata, më të vlerësuarit në kuotën e 40-50 milionë Eurove.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit