
Një goditje e rëndë për Francën, që niset për në Brazil pa yllin e saj më të talentuar, citon Supersport.
Në shtëpi mbetet Franck Ribery, i ndalur nga një dëmtim që e kishte detyruar të humbiste dy miqësoret e para përgatitore kundër Norvegjisë dhe Paraguajit.
Është i detyruar të hapë krahun edhe Clement Grenier i Lyon. Të dy do të zëvendësohen nga Remy Cabella i Montpellier.
“Shpresoja se do të mund ta rikuperoja, deklaroi trajneri Deschamps që nga vendgrumbullimi i Francës, dukej se mund të përmirësohej, por ndodhi krejt e kundërta pasi rritja e ngarkesës përkeqësoi situatën.
Pa Ribery në letër jemi padyshim më pak performues, por në çdo rast do të përpiqemi ta kompensojmë me të ardhurit e rinj”.
Hidhërimi është evident për teknikun, që gjithsesi e kishte përfshirë anësorin e Bayern-it të Mynihut në listën prej 23 futbollistësh, dhe tani i duhet t’i dorëzojë dosjen e zëvendësimeve mjekëve të Fifa-s për të marrë aprovimin formal të bashkimit të rezervave.
Vetë Franck Ribery shprehu tërë hidhërimin e tij për përjashtimin e detyruar nga Botërori.
“Është sikur të më kishin marrë shpirtin. Pas sinjaleve pozitive në ditët e shkuara kam shpresuar gjithmonë se do të mund të isha pjesë e grupit, por sot iu nënshtrova testeve më komplekse dhe ndjeva dhimbje.
Kur shkova në spital, mora konfirmimin se problemi im nuk ishte përmirësuar dhe nuk isha në gjendje për t’u stërvitur dhe luajtur normalisht”.
Lojtari tjetër që detyrohet të mungojë në Botëror, Grenier bën llogaritë me një problem në kofshë pas një sezoni të shënjuar nga dëmtimet.
Që në ndeshjen kundër Paraguajit të dielën e kaluar, Franca kishte hedhur Valbuena në mbështetje të Benzema, me Remy e Griezman që me radhë luajtën në vend të Ribery duke marrë si rezultat barazimin 1-1.
Të dielën Les Bleus do të kenë edhe testin e fundit kundër Xhamajkës në Lile.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





