Transmetuar më 06-06-2014, 12:45

Venecia, 6 qershor 2014, NOA.al- Kryeministri Edi Rama ndodhet në një vizitë dy ditore në Itali, ku do të marrë pjesë në çeljen e pavionit shqiptar në Bienalen e Venecias.

Fillimisht Kryeministri Rama u ndal në Verona, i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe deputetët Artan Gaçi dhe Blendi Klosi.

Gjatë takimit me kryetarin e Bashkisë së Veronës Flavio Tosi, Kryeministri ka kërkuar bashkëpunim të ngushtë me qyteteve të Durrësit dhe Veronës, duke pasur parasysh edhe faktin që të dy qytetet përveç potencialit turistik, kanë të përbashkët edhe amfiteatro të ndërtuara gjatë perandorisë romake.

Nga ana e tij kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, shprehu angazhimin e tij për të binjakëzuar dy qytetet, si dhe për të marrë eksperiencat më të mira nga Bashkia e Veronës në mbrojtjen e amfiteatrit të Durrësit dhe nxitjen e aktiviteteve kulturore dhe artistike në këtë amfiteatër, që mendohet të jetë më i madhi i ndërtuar jashtë kufijve të perandorisë romake.

Kryeministri Rama është ndalur edhe në Venecia, në çeljen e pavionit zviceran, ku ka qenë i ftuar i nderit dhe ka bashkëbiseduar me arkitektë, artistë dhe pjesëmarrës për eksperiencën e tij të ndryshimit.

Me këtë rast kreu i qeverisë është shprehur, “Pas fitores së zgjedhjeve të vitit të shkuar, unë do të doja shumë që t’i zgjidhja problemet e vendit me anë të ngjyrave, por kjo nuk është më një opsion. Njerëzit kanë nevojë për punë dhe për shumëçka tjetër që nuk mund të zgjidhet nga ngjyrat, por unë besoj shumë që ajo domethënie që ngjyrat patën për qytetin ishte një leksion i madh që e bukura mund ta rindërtojë ekonominë dhe që e bukura mund të rindërtojë ndjenjën e jetës së përbashkët, ndenjën e komunitetit dhe të solidaritetit. E bukura mund të sjellë gjithashtu edhe më shumë rregull e ligj, sesa policia dhe forca. Kështu që nuk është thjesht çështje ngjyrash, por më shumë sesa me ngjyrat kjo ka të bëjë me hijeshimin e hapësirës ku jetojmë.  Unë kam parë zona periferike me shkallë të lartë kriminaliteti, sesi kanë ndryshuar thjesht duke transformuar hapësirën e tyre publike. Ndërsa kam parë edhe zona të tjera ku kriminaliteti është rritur, megjithëse numri i policisë është rritur, megjithëse numri i arrestimeve është rritur, megjithëse forca është rritur. Dhe ky është leksioni i madh që unë kam mësuar. Pra, që jo gjithmonë diçka është për t’u ndryshuar, por është diçka që mund ta përdorësh dhe ta kthesh në një pikë të fortë”./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit