Transmetuar më 06-06-2014, 20:45

Prishtinë, 6 qershor 2014, NOA.al/Botuar: 11.52; Përditësim/- Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në ambientet e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës në Obliq, në termocentralin “Kosova-A” duke shkaktuar një të vdekur dhe 14 të plagosur në shkallë të ndryshme.

Ka mbërritur në dy numri i viktimave nga shpërthimi i tmerrshëm.

Pak minuta më parë është nxjerrë nga gërmadhat e shpërthimit edhe personi i tretë, i cili ishte duke u kërkuar. Mendohej se ai mund të gjendej i gjallë, por fatkeqësisht ka dalë pa jetë. Deri në këto momente nuk ka asnjë njoftim zyrtar mbi identitetin dhe moshën e viktimës, ndërsa kolegët shprehen për mediat lokale se ai quhej Bashkim.

Ministri i Forcës dhe Sigurisë në Kosovë, Agim Çeku ka konfirmuar në një dalje publike, se është nxjerrë një trup i pajetë nga rrënojat ku ka ndodhur shpërthimi. Ai bëri të ditur se viktima është rreth 65 vjeç, por nuk ka publikuar identitetin e tij. Në vendgjarje u be e ditur se i ndjeri është Lufti Jashari.

Mediat e Kosovës informojnë se është nxjerrë nga rrënojat Tefik Bela, i cili ka komunikuar në telefon me familjarët e tij, gjatë momentit që nuk dihej nëse ishte gjallë apo kishte ndërruar jetë. Ai është transportuar në spital.

Forca e Sigurisë së Kosovës flet zyrtarisht mbi operacionin e shpëtimit

Pjesëtarë të Kërkim Shpëtimit (KSH) të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë arritur që rreth orës 15 e 20 të nxjerrin një person të pajetë nga vendi i fatkeqësisë me rastin e  shperthimit të bombolës së hidrogjenit në Repartin e Elektrolizës të Termocentralit “Kosova A”, të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), në Kastriot, si dhe vazhdon kërkimi për personat e tjerë. Në të njëjtën kohë Kompania e e Mbrojtjes Kimike Atomike dhe Biologjike (MKAB), është duke vazhduar të vlerësoj situatën e rrezikut nga në vend incident.

Me vendim të ministrit në largim të FSK, Agim Çeku dhe me urdhër të komandantit gjenerallejtënant Kadri Kastrati, sipas vendimit të Qendrës së Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, ka shpallur gjendje gatishmerie dhe ka mobilizuat të gjithë efektivat pë angazhim në operacion sipas shkallës së rrezikut.

Me urdhër të gjeneral Kastratit, Forca e Sigurisë së Kosovës(FSK) ka angazhuar njësitë operacionale të saj në operacionit pas fatkeqësisë me rastin e  shperthimit të bombolës së hidrogjenit në Repartin e Elektrolizës të Termocentralit “Kosova A”, të Korporatës Energjetike të Kosovës. Prej marrjes së urdhërit për angazhim e deri më tani, FSK ka angazhuar në operacion 65 pjesëtarë, prej tyre Kërkim Shpetim, Mjekësi, MKAB, ndërlidhës për reagim ndaj krizave, policë të FSK-së, etj. Gjithashtu në operacion kanë qenë të angazhuar edhe 21 automjete.

Fillimisht Kompania e Mbrojtjes Kimike Atomike dhe Biologjike, e Regjimentit të Mbojtjes Civile(RMC) të FSK ka bërë vlerësimin profesional të situatës në zonën e shperthimit, dhe ka vlerësuar se nuk ka rrjedhje të metutjeshme dhe se nuk ka rrezik për ndonjë shperthim tjetër eventual. Këtë vlerësim e kanë konfirmuar bashkarisht edhe ekspertët e Policisë së Kosovës dhe ata të KEK.

Pas vlerësimit të situatës në zonën e incidentit, Forca e Sigurisë së Kosovës ka angazhuar Kompaninë e Kërkim Shpetimit, përkatësisht togun e kërkim Shpetimit urban i cili është në proces të kërkimit për personat që kanë mbet në lokacionin e fatkeqësisë në momentin kur ka ndodhë incidenti.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka marrë të gjitha masat dhe është e angazhuar maksimalisht në operacion kurse gjendja e gatishmërisë vazhdon në të gjitha efektivat e FSK-së.

Masat pas incidentit

Pas shpërthimit në termocentralet e KEK-ut në Komunën e Obiliqit, bashkia e Prishtinës i ka vendosur të gjitha resurset e veta në dispozicion për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit si dhe në trajtimin e të lënduarve.

Qendra e thirrjeve emergjente tha se ka marrë shumë thirrje dhe është në gatishmëri ta ndihmojë Komunën e Obiliqit dhe KEK-un në këtë situatë të rëndë.

Drejtori i Prodhimit në KEK, Arben Gjuka, tha se shpërthimi ka qenë jashtëzakonisht i fuqishëm.

Drejtori Ekzekutiv për shërbime e Koorporatës, Edmond Nulleshi, deklaroi se ekipet në vendin e ngjarjes kane izoluar vendin ku ka ndodhur shpërthimi.

Banoret dhe autoritetet tronditen nga ngjarja

Shpërthimi ka ndodhur në pjesët ndihmëse të KEK, ndërsa për shkak të përmasave të tij, është ndjerë edhe në disa zona të Prishtinës. Nje teknik ne vendngjarje tha se ky shpërthim në Kosova A ka ndodhur per shkak te disa kimikaleve të cilat bëjnë zbutjen e ujit.

Shpërthimi ka tronditur tërë banorët e Obiliqit, të cilët kanë njoftuar për dëme edhe nëpër shtëpi.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka ndërprerë axhendën elektorale që përfundonte sot në mesnatë dhe është nisur për në vendngjarje.

Duke folur nga vendi i ngjarjes Thaçi apeloi që të mos bëhet panik, ndërsa ftoi banorët për solidaritet.

“Nuk ka kaluar ende rreziku, por është izoluar zona e rrezikshme. Të gjitha strukturat e specializuara janë në gjendje gatishmërie. Janë duke u larguar të gjithë punëtorët nga vendi i punës, për shkak se ende nuk ka kaluar rreziku. Jam me punëtorë, ministrin Ismaili, të gjithë, me qëllim për të shpëtuar njerëzit”, tha Kryeministri Thaçi.

Nga ana e saj Presidentja Atifete Jahjaga ftoi qytetarët e Republikës së Kosovës që në këto momente të vështira të solidarizohen në dhembje me familjarët dhe të afërmit e atyre që u prekën nga kjo fatkeqësi e rëndë dhe të bashkohen në lutje për fatin e punëtorëve të KEK-ut dhe shërimin e tyre të shpejtë.

Presidentja Jahjaga falënderoi ekipet e emergjencës, policisë së Kosovës dhe mjekët në QKUK për daljen në ndihmë viktimave të kësaj tragjedie dhe kërkoi që këtyre mekanizmave t’iu mundësohet të kryejnë punën e tyre profesionale.

Presidentja Jahjaga vizitoi në spital të lënduarit nga shpërthimi në KEK.

Kryeministri Rama: Dhimbje dhe solidaritet

Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Itali, ka komentuar lajmin e shpërthimit të ndodhur në Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës.

Rama shpreh dhimbjen e thellë për këtë aksident tragjik, që u mori jetën disa qytetarëve dhe ku u lënduan disa të tjerë.

Menjëherë pas ngjarjes, Kryeministri Edi Rama i telefonoi Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi për t’i shprehur ngushëllimet më të ndjera dhe solidaritetin e tij dhe të qeverisë shqiptare, për familjarët e qytetarëve që humbën jetën dhe uroi shërim të shpejtë të të lënduarve.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, ai shkruan, “Lajm tronditës nga Kosova, dhimbje e solidaritet për familjarët, le të lutemi që numri i të vdekurve dhe të dëmtuarve të mos rritet më tutje”.

Më tej në një postim tjetër ai shkruan, “Sapo fola me Kryeministrin Thaçi për pasojat e shpërthimit tragjik dhe i shpreha ngushëllimet e solidaritetin tonë. Kryeministri ishte i lënduar e falënderues”.

Presidenti Nishani shpreh keqardhjen dhe solidaritetin për ngjarjen e rëndë

Presidenti Bujar Nishani, sapo u informua për ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Koorporatën Elektroenergjitike të Kosovës (KEK), në Obiliq, i telefonoi Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, ku i shprehu trishtimin për ngjarjen e rëndë, ngushëllimin për viktimat, duke uruar shërim sa më të shpejtë për të lënduarit dhe shprehur besimin se Qeveria dhe autoritetet e Republikës së Kosovës do ta përballojnë dhe kalojnë këtë rast fatkeq me solidaritet dhe angazhim të lartë.

Basha: Bashkohem me dhimbjen e familjes së viktimave

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka reaguar lidhur me shpërthimin në Obiliq të Kosovës duke shprehur solidaritet me familjet e viktimave.

Në një postim të tij në Facebook, Basha shkruan, “Shpërthimi tragjik sot në Obiliq është një lajm i hidhur dhe tronditës për të gjithë shqiptarët. Në këtë orë fatkeqësie që shkaktoi humbje të jetëve njerëzore dhe dhjetëra të plagosur, së bashku me çdo qytetar shqiptar i bashkohem dhimbjes dhe solidaritetit me familjet e viktimave dhe me të gjithë qytetarët e Kosovës. Ju uroj shërim të shpejtë të plagosurve dhe lutem që pasojat e shpërthimit të mos rriten më tej”.

Berisha: Ngushëllime!

Edhe ish-Kryeministri Sali Berisha i është bashkuar ngushëllimeve dhe solidaritetit për ngjarjen e rëndë në Kosovë.

Në profilin e tij në Facebook, ai shkruan: “Aksident tragjik në Kosovë, në Obiliq një termocentral ka shkaktuar disa të vdekur dhe të plagosur. Duke ju uruar shërim të shpejtë të plagosurve, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjeve të viktimave dhe lutem së bashku me to që shpirti i njerëzve të tyre të dashur të gjejë paqen e merituar. Ngushëllime!

Gjiknuri: Nisim furnizimin përmes linjës Fierzë-Dragash

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ka shprehur pikëllimin e tij për ngjarjen e ndodhur ditën e sotme në Kosovë ku pati shpërthim në termocentralin Kosova A.

“Pikëllim dhe dhembje për lajmin tronditës që vjen nga Kosova. Solidaritet me familjet e prekura nga kjo fatkeqësi e rëndë, lutje për shërimin sa më të shpejtë të të lënduarve…”, shkruan Ministri Gjiknuri në profilin personal në rrjetin social Facebook.

Ndërkaq, Ministria e Energjisë dhe Industrisë njofton se mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës ka një marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbim energjie. Në këtë kuadër, pala kosovare ka shprehur nevojën për një sasi që mund të shkojë deri në 200 megavat në bandë për tre ditët e ardhshme.

Koorporata Elektroenergjitik Shqiptare prej orës 15:00 të ditës së sotme do të nisë furnizimin përmes linjës Fierzë-Dragash me 50 megavat në bandë. Ndërkaq, në bashkëpunim me institucionet respektive në Kosovë, KESH dhe OST po përpiqen të shohin mundësitë e garantimit të kapaciteteve të interkonjeksionit për të plotësuar nevojën e kërkuar për energji.

Ilir Meta dërgon telegram ngushëllimi

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i dërgoi një telegram ngushëllimi homologut të tij Krasniqi për tragjedinë në Obliq. “Ngushëllime të sinqerta të afërmeve të viktimave”- thuhet në telegramin e Metës.

PDIU: Gjendemi pranë të afërmve të atyre që humbën jetën dhe atyre që u plagosën

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet gjendet në krah të të afërmve të atyre që humbën jetën dhe atyre që u plagosën në incidentin e rëndë në Kastriot. PDIU ndjek me vëmendje situatën dhe shpreh solidaritetin ndaj çdo qytetari të Kastriotit, Kosovës e mbarë shqiptarëve. Pjesët e një kombi dhembin njësoj për çdo shqiptar. PDIU i kërkon autoriteteve shtetërore të zbardhi sa më shpejtë rrethanat dhe përgëzon klasën politike të Kosovës që vuri dhembjen dhe solidaritetin përpara votave.

Jahjaga mbledh anëtarët e KQZ-së, zgjedhjet më 8 qershor

Për shkak të shpërthimit të fundit, në Termocentralin “Kosova A”, në Obiliq, Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, zhvilloi një takim urgjent me anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në takim u diskutua, nëse do të mbahen ose jo zgjedhjet më 8 qershor dhe u vendos që dita e tyre të mos ndryshojë. Pra, të dielën, më 08.06.2014 në Republikën e Kosovës do të mbahen zgjedhjet. (Vijon…)/a.y/a.s/noa.al/

Emrat, vendlindjet dhe moshën e punëtorëve të KEK-ut që u plagosën sot në shpërthimin e ndodhur:

1-Naim Hajrizi 1978 Prishtinë

2-Bashkim Kutllovci 1950 Prishtinë

3-Bashkim Tanaj 1968 Obiliq

4-Nyredin Dardhishta 1985 Kaçanik

5-Izet Dedinca 1969 Lajthisht-Obiliq

6-Mentor Avdyli 1979 Dobroshevc Drenas

7-Besim Elezi 1977 Mihhaliq – Obiliq

8-Elmza Hoxha 1956 Miradi e Ulët – Fushë Kosovë

9-Shemsi Klinaku 1975 Obiliq

10-Besim Krasniqi 1974 Obiliq

11-Rrahman Alshiqi 1953 Obiliq

12-Hamdi Kutllovci

13-Ali Kutllovci

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit