
Maria Sharapova-Simona Halep do të jetë finalja e madhe e French Open në tenis për femra.
Rusja Sharapova arriti finalen e tretë radhazi mbi dheun parizien pasi mundi jo pa vështirësi kanadezen Eugenie Bouchard në tre sete.
Bouchard, e cila luante gjysmëfinalen e dytë në një turne Grand Slam këtë vit, pasi arriti diçka të tillë dhe në Australian Open e nisi mjaft mirë takimin duke i vjedhur shërbimin në gamen e gjashtë Mashës, për të ruajtur më pas avantazhin deri në fitimin e setit 6-4.
Në setin e dytë, Sharapova mori një game me break duke kryesuar 5-3, por Bouchard u kundërpërgjigj me dy game radhazi me rezultatin që u barazua në 5-5, përpara se Masha t’i fitonte sërish shërbimin kundërshtares, për suksesin në këtë set 7-5.
Bouchard e kuptoi forcën e Sharapovës në setin përfundimtar, gjatë të cilit rusja fitoi 6-2 duke siguruar dhe një vend në finale, ku do të gjejë përballë tenisten e momentit, rumunen Simona Halep, e cila mundi gjermanen, Andrea Petkovic, në dy sete.
Halep fitoi të parin 6-2, ndërsa kishte nevojë për tie break për të triumfuar në të dytin, duke siguruar finalen e saj të parë në karrierë në një turne Grand Slam.
Ndërkohë në French Open u dha dhe trofeu i parë për këtë vit, që është ai i lojës dyshe të përzier, ku gjermanja Ana Lena Groenfeld bashkë me holandezin Jean Julien Rojer mundën 4-6, 6-2, 10-7 çiftin Jula Goerges dhe Nenad Zimonjic.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





